TREPÇA - PRISHTINA
Rikthim i madh nga Prishtina, përmbyset rezultati në vazhdime
11 March, 2017 @14:45
Atë që nuk arriti ta bëjë përgjatë 90 minutave, Prishtina e bëri në minutat shtesë, që zgjatën më shumë se 10 minuta.
Ekipi nga kryeqyteti shënoi fitore të madhe në Mitrovicë, duke e mposhtur Trepçën me rezultat 1-2.
Bardhekaltërit nuk lejuan që pas humbjes në javën e kaluar ndaj Trepçës ‘89, ta pësojnë edhe humbjen e dytë rresht në Mitrovicë.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte me raste të pakta shënimi, ndërsa goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën 57’, kur pas një akcioni të bukur nga vendasit, Enis Zabërgja befasoi portierin Alban Muçiqi me një gol të bukur nga distanca.
Epërsia e Trepçës e rriti ritmin e lojës, ndërsa fituesi do të mund të përcaktohej lehtësisht në minutën 83’, kur Bajram Zuqaku pati rast të qindpërqindtë shënimi, por që nuk arriti ta prek topin nga afërsia për ta dërguar atë në portën e zbrazët.
Vetëm dy minuta më vonë Lorik Boshnjaku i Prishtinës rrezikoi me një solo-aksion, por goditja e tij e fortë u ndal në shtyllë.
Kur të gjithë filluan të mendonin se fitorja do t’i takojë Trepçës, në minutat shtesë erdhi rikthimi i madh i Prishtinës.
Në minutën 92’ Gauthier Mankenda mbeti i shtrirë brenda zonës së rreptësisë pas duelit me kapitenin e Trepçës, Kujtim Kutllovci, ndërsa gjyqtari i ndeshjes, megjithëse paksa me vonesë, akordoi penallti, të cilën më pas e shndërroi në gol Liridon Leci.
Ky gol e vonoi për disa minuta ndeshjen, pasi vendasit nuk u pajtuan me rezultatin, ndërsa me rifillimin e ndeshjes një kundërsulm i shpejt i Prishtinës dha edhe golin e fitores, që u shënua nga Gauthier Mankenda, i cili pranoi asistin e zëvendësuesit Gentrit Begollit.
Me këtë fitore, Prishtina është ngjitur përkohësisht në pozitën e dytë në tabelë, me 42 pikë, aq sa ka edhe Feronikeli, i cili ndeshjen e kësaj xhiroje do ta zhvillojë nesër ndaj Lirisë në Prizren.