Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E SHTIMJANËVE

Vjosa mposhti 2 Korrikun

Vjosa mposhti 2 Korrikun


Teksti: 2korriku.com

2 September, 2024 @11:00

Tri xhiro, asnjë fitore për 2 Korrikun. Është ky bilanci i vulosur ditën e sotme në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, ku verdh’ e blutë e kryeqytetit dolën të mposhtur nga takimi me ekipin nga Shtimja, KF Vjosa, që ndeshjet si vendës po i zhvillon në këtë stadium.

Thënë të drejtën, ndonëse në dy ndeshjet e para 2 Korriku nuk meritoi të lëshonte pikë, ndeshja e sotme ishte tipike humbje e merituar, me skuadrën që rrezikoi shumë pak, e që golin e arriti si rrjedhojë e veprimit individual të Statovcit në minutën 70’.

Në anën tjetër, vendësit të përkrahur fuqishëm nga tifozët, në disa raste më tepër se ç’duhej, kjo e shtyrë edhe nga disa vendime të gjyqtarëve, triumfuan me rezultatin e ngushtë 2-1, me epërsinë që u arritë tek në minutën 84’, kur zëvendësuesi Ademi realizoi me kokë.

Kjo humbje, 2 Korrikun e lë aty ku e kishte gjetur, me vetëm një pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Kurse tani, koha është për pushim, atë dhjetë-ditor të kombëtareve.

- - -

Raporti minutë pas minute:

8’ – Ndeshja filloi e qetë, pa rrezik konkret të ndonjërës prej skuadrave. Tentim i lehtë ishte ai i Pedros që harkoi, por topi u kontrollua lehtësisht nga portieri Miftari;

9’ – Kozmaqi i mysafirëve pasoi bukur për Pedron, që u fut në zonën e rrezikshme dhe tentoi driblimin e Bytyqit, por u pengua – reagim i ashpër i skuadrës udhëtuese që kërkoi penallti, por i të njëjtit mendim nuk qe gjyqtari Pacolli;

10’ – Aksion i mirë-ndërtuar nga Vjosa, me harkim nga e djathta, topi u ndalë nga anësori i majtë për sulmuesin vendës që goditi fuqishëm por jashtë portës – loja u ndalë për pozitë jashtë loje;

12’ – Harkim i lehtë nga Stublla për shtatgjatin Gashi të 2 Korrikut, por goditja e tij me kokë la për të dëshiruar dhe nuk ishte e rrezikshme;

25’ – Pas disa minutave qetësi në ndeshje, erdhi goditja e mesfushorit verdh’ e blu, Ideal Abdullahut, por ishte qëndrore dhe pa ndonjë rrezik për portën e Miftarit;

26’ – Pa kaluar as edhe një minutë nga rasti i fundit, vie rasti tjetër; kësaj radhe Kozmaqi pasoi tek Bejta që krosoi për Gashin, por goditja e tij nga afër u ndalë për mrekulli nga portieri Miftari;

39’ – Ndeshja vazhdoi si e baraspeshuar, pa raste të rrezikshme, teksa Vjosa kërkoi penallti, pas një tollovie të krijuar në zonën mysafirë;

42’ – Rasti i fundit i pjesë-lojës së parë ishte ai i mbrojtësit Bytyqi të Vjosës, që goditi nga e djathta me shumë forcë, por u ndalë nga Ajeti;

48+3’ – Pas tre minutave shtesë, pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë. Kjo ishte ndeshja e tretë që 2 Korriku nuk pësoi gol në pjesë-lojën e parë;

50’ – Pjesa e dytë nisi siç është më së miri për Vjosën; Albijon Shurdhiqi shfrytëzoi për mrekulli topin nga mesfushori vendës, u vendos përballë portierit dhe nga 16 metra largësi shënoi me goditje të bukur për 1-0;

55’ – Vjosa sërish në sulm, kësaj radhe nga e djathtë; u tentua krosimi, topi u ndalë me dorë nga një prej mbrojtësve mysafir, pati reagime për penallti, mirëpo gjyqtari Pacolli e vlerësoi si prekje me dorë jashtë zonës dhe ashtu sinjalizoi. Goditja nga kjo ndërprerje u ndalë nga një prej Stublla i 2 Korrikut, me topin që shkoi në rivënie këndore;

61’ – Ekipi mysafir vazhdoi me trysni, tentoi për golin e dytë, por topi u ndalë nga Ajeti me lehtësi;

62’ – Me shpejtësi, 2 Korriku kaloi në sulm; Pedro fitoi topin në gjysmën e fushës, pasoi me shpejtësi tek Kozmaqi që e ktheu për mrekulli topin për Gashin që goditi, por fuqishëm jashtë kuadratit të portës;

67’ – Vjosa rrezikon sërish, kësaj radhe me gjuajtje nga largësia, por topi shkon mbi portë;

70’ – Momenti i barazimit erdhi – Rron Statovci me veprim të bukur nga ana e majtë, kalon sulmuesin vendës dhe tenton harkim-goditje që për fat të mirë të 2 Korrikut përfundon në rrjetë – gëzim i madh në kampin verdh’ e blu;

75’ – Momenti më diskutabil i ndeshjes ishte ky; pasiqë topi e preku dorën e mbrojtësit mysafir, gjyqtari Pacolli vendosi për penallti, vendim ky shumë i diskutueshëm që u pasua me reagime të shumta të mysafirëve. Pasi që pati reagime dhe gjithashtu një diskutim në mes gjyqtarit kryesor dhe atij anësor, Hasan Llallo, i pari vendosi që ta ndërroj vendimin e tij dhe ta anuloi penalltinë – ky vendim u kontestua jashtëzakonisht shumë nga vendësit, të cilët reaguan në mënyrë jashtëzakonisht jo-profesionale, gjë që bëri që shumë prej tyre të ndëshkohen;

80’ – Rasti më interesant në ndeshje, Shurdhiqi godet por ndalet nga portieri Ajeti, topi i kthehet sërish atij dhe godet sërish, por sërish topi nuk përfundon në rrjetë por në pingule e më pas i kthehet anësorit të djathtë që godet fort por ndalet për mrekulli nga Abdullahu që shpëton portën e tij;

83’ – Tjetër rast i mirë për Vjosën, sërish goditje e fuqishme, por që u ndalë nga Ajeti (më i dalluari i ekipit kryeqyteas) dhe përfundoi në rivënie këndore. Nga rivënia këndore u harkua për Ademin, futbollistin “e harruar” nga mysafirët, që shënoi me goditje të fuqishme për 2-1. Festë e jashtëzakonshme në kampin vendës;

85’ – Shumë pak minuta pas golit të pësuar, 2 Korriku u hodh në sulm, dhe arriti tek rasti ideal i Kozmaqit që u asistua nga Gashi, por mungoi goditja finale dhe mbrojtja vendëse nuk hezitoi e reagoi shumë shpejt;

86’ – Nga rasti në rast, Vjosa doli në kundërzbritje, por u ndalë nga portieri Ajeti, që sërish ndali goditjen e fuqishme të anësorit të djathtë;

90+5’ – Pesë minuta pas përfundimit të kohës së rregullt, Vjosa pa veten sërish në rast të mirë shënimi, por sërish u ndalë nga Arnis Ajeti, portieri që sot pati një nga paraqitjet më të mira të kohëve të fundit;

90+6’ – Pas gjashtë minutave shtesë, ndeshjes i erdhi fund. Fitore për Vjosën me plot meritë.

- - -

KF Vjosa v. FC 2 Korriku 2-1

Golashënues: Albijon Shurdhiqi 50’, Auron Ademi 84’; Rron Statovci 70’

Gjyqtarët e ndeshjes: Granit Pacolli (Prishtinë), Hasan Llallo (Prizren), Korab Qorraj (Pejë), Ersen Janovali (Prishtinë)

Delegat i ndeshjes: Shemsedin Abazi (Kaçanik)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Zekë Miranaj (Istog)

Formacioni startues i Vjosës: Armend Miftari, Festim Haxhiu, Eronis Emini, Korab Luma, Edon Koxha, Muhamed Llapashtica (C), Ideal Ademaj, Albijon Shurdhiqi, Edi Maksutaj, Endrit Bytyqi, Ermir Abazi. Kryetrajner: Meriton Baftiu.

U inkuadruan edhe: Çlirim Berisha 58’, Leonard Shala 64’, Auron Ademi 73’.

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Granit Latifi, Nderim Abdullahu, Jehon Stublla, Rron Statovci, Andi Oruqi (C), Ideal Abdullahu, Albinot Kozmaqi, Redon Bejta, Ardit Gashi, Pedro Henrique. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Arlind Maqedonci 46’, Gneilpekan M. Camara 63’, Dijon Demolli 63’, Olt Shala 89’.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë