Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E RADHËS SI MYSAFIR PËR GJAKOVARËT

Vëllaznimi mposht Besa Pejën dhe mbanë hapin me liderin

Fotot: KFVellaznimi/ fb

Vëllaznimi mposht Besa Pejën dhe mbanë hapin me liderin


1 September, 2024 @20:57

Fitorja e dytë si mysafir për Vëllaznimin ka ardhur sot, ndërsa ekipi gjakovar i drejtuar nga Leotrim Krasniqi ka mposhtur ekipin e ri të krijuar së fundi, që u fuzionua me Phoenixin dhe hyri menjëherë në Ligë të Parë, Besa Pejën.

Ndeshja në fakt, kah fundi u bë goleadë e vërtetë ku shikuesit në “Shahin Haxhiislami” panë plot gola, ndërsa kuqezinjtë e Gjakovës të veshur me të bardha sot, mposhtën vendasit: Besa Peja 3-4 Vëllaznimi [n.n. 39’, 68’, 90+’ - Norik Krasniqi 13’, 30’, 52’, Qemail Elshani 87’].

TABELA AKTUALE & REZULTATET

Ka qenë hat-tricku i Norik Krasniqit që i dha krahë Vëllaznimit, derisa shënoi dy herë në pjesë të parë dhe një me të filluar pjesa e dytë, kurse Vëllaznimi siguroi fitoren me golin e mesfushorit me përvojë Qemail Elshanit.

Mundi i vendasve kah fundi i ndeshjes nuk mjaftoi për të siguruar pikë, përkundër se shënuan për minimizimin e epërsisë së mysafirëve. Fitorja, bën që Vëllaznimi të mbajë hapin me liderin e grupit, Drenica. Të dyja ekipet kanë pikë të njëjta (7), por Drenica e Megzon Visokës ka goldallim më të mirë dhe për këtë kryeson tabelën, derisa Vëllaznimi është i dyti. Besa Peja në anën tjetër, është e shtata pas tre xhirosh me 3 pikë.

Në xhiron e radhës Vëllaznimi udhëton te Trepça për derbi, ndërsa Besa Peja te fqinjtë e Istogut.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë