NGA KONFERENCA
Roshi: Po fituam, gjithçka është në rregull
5 September, 2020 @16:49
Krahu i kombëtares shqiptare, Odise Roshi, në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Lituanisë ka thënë se fitorja është imperativ për kuqezinjtë.
Ai është shprehur se ndeshja e djeshme ndaj Bjellorusisë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, por ekipi ka pasur përgatitjen e duhur fizike prandaj edhe ka arritur që të dalë fitues.
Sa i përket lojës së tij si zëvendësues, ku edhe regjistroi asistim, Roshi ka qenë i qartë.
“Është një kënaqësi të nisësh me një 3 pikësh në Bjellorusi, nuk ishte e lehtë, ishte ndeshje e vështirë, por ekipi ka bërë një ndeshje shumë të mirë dje. Tani pas dy ditësh kemi një ndeshje tjetër me Lituaninë, nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Të marrim dhe një 3 pikësh tjetër dhe pastaj të shikojmë për ndeshjet e radhës,” ka thënë Roshi fillimisht.
Për më tepër ai ka shtuar se është gjithmonë aty për të dhënë 100%-shin te kombëtarja.
“Besoj se çdo lojtar do të luajë nga fillimi, është normale, por gjithmonë e kemi thënë në çdo lloj interviste, sa herë na jepet mundësia, të gjithë lojtarët, edhe unë jap 100% në fushë, bëjmë detyrën, pastaj është trajneri që e vendos se kush luan dhe kush nuk luan. Por kënaqësia është gjithmonë që të luash nga filimi. Unë bëj më të mirën, kam dëshirë të luaj nga fillimi si çdo lojtar por kur na jepet mundesia japim maksimumin për kombin tonë, luajmë në radhë të parë për veten, familjen pastaj për të gjithë shqiptarët,” ka shtuar fieraku 29 vjeç.
Ndërsa sa i përket përballjes së radhës ai ka thënë se vetëm 3 pikëshi është me rëndësi nga kjo ndeshje.
“Ekipi është shumë mirë përderisa fitoi 0-2. Bjellorusia i ka pasur të gjithë lojtarët dhe nuk ka bërë pauzë. Ne bëmë një fitore shumë të mirë dje, 0-2. Besoj dhe në fizik jemi shumë mirë, tani të shohim ndeshjen e radhës. T’ia lëmë më mirë fushës. I rëndësishëm është 3 pikëshi, po fitove çdo gjë është në rregull,” ka thënë ndër të tjera Roshi, që përgjatë karrierës së tij me kombëtaren shqiptare ka shënuar 5 gola në 57 paraqitje, ndërsa ka regjistruar 12 asistime me kuqezinjtë.
Shqipëria pret Lituaninë më 7 shtator në Air Albania të Tiranës.