MEDIA
Serbët analizojnë Canën
13 October, 2014 @11:55
Mediat serbe janë duke e analizuar në hollësi kombëtaren shqiptare para ndeshjes së nesërme ndaj Serbisë.
Një numër i konsiderueshëm i gazetarëve serb ka qenë i pranishëm edhe në Elbasan Arena në ditën e ndeshjes së Shqipërisë me Danimarkën, derisa kanë shikuar nga afër kuqezinjtë.
Në publikimet e sotme, ata kanë thurrë elozhe për Lorik Canën, që e kanë quajtur njeriu ekip.
“Në histori të futbollit ka shumë pak ekipe që varen nga një individ. Situata nuk është ndryshe as me Shqipërinë, kundërshtarin tonë të ardhshëm, pasi që kur nuk luan Lorik Cana - nuk luan as Shqipëria,” konstaton beogradasja B92.
“I adhuruari i tifozëve të Olympique Marseille, ndërsa tash i adhuruari i tifozëve të Lazios, Cana me kohë nga qendra e mesit të fushës ka ecur drejt mbrojtjes, ku tanimë është libero. Ai në ndeshjet me Portugalinë dhe me Danimarkën ka shpëtuar dy gola të pastra. I jep kurajo bashkëlojtarëve dhe nuk ka lënë asnjë krosim të përfundojë në zonë, duke i dalë në ballë topit. Rastin para tij duhet kërkuar me driblime, ose pasime pas mbrojtjes, pasi që nuk është i shpejtë dhe i lëvizshëm si dikur,” analizon televizioni në fjalë kapitenin e kombëtares shqiptare.
Për më tepër, Lorik Cana, do të ketë paraqitje historike në Beograd, pasi që do të vesh për herë të 80-të fanellën e Shqipërisë, me ç‘rast do të thyej rekordin e Altin Lalës, për tu bërë njeriu me më së shumti paraqitje në histori të kombëtares.