KAPITENI
Serbët na shikojnë nga TV, ne në Francë!
11 October, 2015 @20:13
Kapiteni i kuqezinjëve, Lorik Cana, menjëherë pas ndeshjes ka thënë se është i stërlumtur, me lot në sy për arritjen madhore.
“Grupi ka qenë i veçantë! Për herë të parë kemi futbollistë nga të gjitha trojet. Kjo ka qenë energjia,” ka thënë ai për TVSH-në menjëherë pas ndeshjes.
“Tifozët kanë qenë të jashtëzakonshëm. Ne jemi munduar qe sa vjet për këtë arritje. Por, tash e arritëm,” ka shtuar ai.
Kur u pyet për humbjen nga Serbia ai tha:
“Shikoni, më vjen keq për atë natë, por ne shkojmë në Francë, ndërsa ata i përshëndes që do të na shikojnë me birra në duar nga Serbia,” ka ironizuar Cana.
Për më tepër, ai ka shtuar edhe diçka.
“Kjo fitore është për të gjithë ata që kanë vuajtur shiun e Elbasanit ndaj Serbisë. Për policët që ruanin rendin nga mëngjesi dhe për të gjithë tifozët që janë lagur duke pritur e duke shikuar ndeshjen,” ka përfunduar Cana duke përshëndetur babain e tij, si një njeri që ka qenë gjithmonë pranë tij, duke e cilësuar si i vetmi.