DE BIASI
Shpresoj të jemi si mushkonjat!
18 March, 2013 @16:48
Gianni De Biasi ka sqaruar shumë gjëra rreth kombëtares para ndeshjes kundër Norvegjisë në konferencën e shtypit të mbajtur sot.
Përzgjedhësi italian ka thënë se gjasat janë të vogla që Migjen Basha dhe Valdet Rama të luajnë kundër Norvegjisë.
“Në listë kemi 25 futbollistë, sepse janë përfshirë edhe Migjen Basha me Valdet Ramën. Sigurisht, Rama nuk do të mund të luajë ndaj Norvegjisë për arsye dokumentacioni, ndërsa për Bashën shpresojmë që bekimi të vijë nga lart. Nëse vendimi i FIFA-s merret sot, ai mund të luajë menjëherë. Megjithatë, i kemi thirrur për t’i pasur të grumbulluar, sepse të dy këta lojtarë mund t’i aktivizojmë në miqësoren me Lituaninë.”
De Biasi po ashtu i’u është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me homologun e tij te përfaqësuesja e Norvegjisë, Egil Olsen, i cili i kishte krahasuar futbollistët e Shqipërisë me mushkonjat e bezdisshëm.
“Trajneri i Norvegjisë ka më shumë eksperiencë se unë, ndaj duke patur parasysh edhe moshën, thjesht po them se jam dakord me të. Me të vërtetë besoj dhe shpresoj që të jemi të bezdisshëm si mushkonjat, edhe pse jemi më të shkurtër se ata. Mushkonjat të japin bezdi, por ndonjëherë të prishin edhe gjumin. Unë shpresoj të ndodhë kështu për Norvegjinë dhe trajnerin e saj.”
Në fund trajneri 56 vjeçar ka komentuar edhe për çështjen e futbollistit 19 vjeçar të Juventusit, Elvis Kabashi, i cili megjithëse ka pasur dy paraqitje për kombëtaren U19 të Shqipërisë, ditë më parë kishte refuzuar ftesën e kuqezinjëve duke shpresuar që do t’i hapen një ditë dyert e përfaqësueses italiane, ndërsa sikur Kabashi më parë kishte vepruar edhe Mërgim Brahimi.
“Brahimi dhe Kabashi janë futbollistë të rinjë që akoma nuk kishin treguar cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e kombëtares A. Me përfaqësueset e moshave kanë bërë mirë dhe prisnim momentin e duhur për t’i grumbulluar, por nëse dikush kërkon t’i djegë etapat, atëherë do të mbetet vetë i djegur. Kabashin e kisha shumë në konsideratë, por ndoshta është këshilluar keq. Unë e kisha në konsideratë, por presioni “ose luaj në kombëtaren ose nuk vij”, është shenja e parë që tregon se nuk mund të shkosh gjëkundi,” përfundoi De Biasi.