ZYRTARE
Shqipëria e humb me rezultat zyrtar ndeshjen me Luksemburgun
25 August, 2016 @18:00
Ndeshja ndërmjet Luksemburgut dhe Shqipërisë që ishte zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian, përkatësisht më 29 mars dhe kishte përfunduar me fitoren 2-0 të kuqezinjëve, është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0 në të mirë të Luksemburgut.
Lajmi sapo është bërë i ditur nga faqja zyrtare e FIFA-s, e cila ka marrë këtë vendim për shkak të neglizhencës nga ana e shtabit teknik të kuqezinjëve.
Në fakt, arsyeja konkrete e këtij vendimi është paraqitja në fushë e Ergys Kaçes në ndeshjen Luksemburg-Shqipëri, i cili në ndeshjen e mëparshme miqësore ndaj Austrisë ishte ndëshkuar me karton të kuq dhe nuk ka pasur të drejtë lojë në miqësoren ndaj Luksemburgut.
Përveç kësaj, Komisioni Disiplinor i FIFA-s e ka gjobitur Shqipërinë me 7 mijë e 500 franga për këtë lëshim.
Humbja në tavolinë e ndeshjes Luksemburg-Shqipëri, pritet t’i rrëzojë kuqezinjtë për disa vende në renditjen botërore të FIFA-s.