Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHQIPËRIA - ÇEKIA

Shqipëria fantastike, me një këmbë në EURO2024!

Fotot: FSHF

Shqipëria fantastike, me një këmbë në EURO2024!


12 October, 2023 @23:59

Nuk kanë të ndalur fitoret dhe paraqitjet fantastike të Shqipërisë!

Sonte Shqipëria fitoi 3-0 ndaj Republikës Çeke në Tiranë, për t’iu afruar tashmë tepër shumë Evropianit!

Albania

Shqipëria triumfoi kundër Çekisë me rezultatin 3-0 dhe është shumë pranë objektivit për të siguruar për të dytën herë në histori kualifikimin në Europian. Në një stadium të mbushur plot, kuqezinjtë ishin futur në fushë me objektivin për të fituar dhe ia dolën me golat e Jasir Asanit dhe dygolëshin e Taulant Seferit.

TABELA AKTUALE

Trajneri Sylvinho kishte zgjedhur nga minuta e parë këtë formacion: Berisha, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti (c), Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Asani, Seferi, Cikalleshi.

Shqipëria e nisi mbarë dhe gjeti golin që në minutën e nëntë me Asanin, i cili vendosi të provonte të majtën dhe i shtangu të gjithë nga jashtë zone. Djemtë tanë ishin të vendosur mirë në fushë dhe shpesh dolën përpara rrezikshëm. Në një moment ishte Sokol Cikalleshi ai që u ndal nga portieri kundërshtar, pasi gjuajti me të majtën brenda zone.

Në minutën e 40-të Çekia mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të sulmuesit Mojmir Chytil.

Shqipëria shkoi në pushim në epërsi 1-0, çka i dha qetësi skuadrës dhe trajnerit Sylvinho.

Kuqezinjtë goditën sërish në pjesën e dytë, në minutën e 51-të me Taulant Seferin. Sulmuesi nuk u ndal me kaq pasi në të 73-ën vulosi triumfin magjik. Deri në fund trajneri Sylvinho kreu disa zëvëndësime duke futur në fushën e lojës Arbnor Mujën, Mirlind Dakun, Ernest Muçin dhe Klaus Gjasulën.

Tashmë kuqezinjtë numërojnë 13 pikë në vendin e parë në grupin E, 4 më shumë se Polonia e vendit të dytë. Takimi i rradhës për Shqipërinë është në 17 tetor po në “Air Albania” ku do të përballemi në një miqësore me Bullgarinë, ndërsa në 17 nëntor do të udhëtojmë në Moldavi për të zhvilluar takimin e parafundit në grupin E , ku në rast të një rezultati pozitiv mund të sigurojmë kualifikimin për në Europianin “Gjermani 2024”.

 


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian