ANDORRA - KOSOVA
Vjen fitorja e parë e Kosovës
12 October, 2023 @22:50
Kosova ka arritur fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, duke e mposhtur Andorrën me rezultat 0-3.
Golat për Kosovën erdhën nga Milot Rashica 26’,71’ dhe Altin Zeqiri 83’.
Kombëtarja e Kosovës e ka realizuar fitoren e parë në kuadër të Grupit I në kualifikimet për Euro 2024, teksa e ka mposhtur Andorrën në “Estadi Nacional”, me rezultat 3:0. Dardanët e dominuan që nga fillimi ndeshjen, ndonëse Andorra edhe kësaj radhe u shfaq ekip i papërshtatshëm dhe me mbrojtje të ngjeshur. Megjithatë, rezultati u zhbllokua në minutën e 26-të, kur Milot Rashica shënoi me gjuajtje nga brendësia e zonës, pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Florent Muslijës.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e një goli për Dardanët, teksa pjesa e dytë vazhdoi lojë të luftuar e angazhim të madh nga të dyja palët. Mirëpo, goli i qetësisë erdhi në minutën e 71-të, kur sërish rrugën e golit e gjeti Rashica. Vojvoda harkoi nga krahu tek Hadërgjonaj, por topi arriti te Rashica i cili nga afërsia e nguliti topin në rrjetën e portës së vendasve për 2:0.
Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vulosi Altin Zeqiri, i cili debutoi në këtë ndeshje në fanellën dardane, duke shënuar nga afërsia pas një asistimi maestral të Rashicës. I pafat në këtë ndeshje ishte sulmuesi Albion Rrahmani, i cili u detyrua ta braktisë ndeshjen me barrele për shkak të lëndimit të pësuar në minutën e 64-t. Gjithsesi kjo fitore e ngrit moralin e Dardanëve për ndeshjet e ardhshme, teksa matematikisht edhe më tutje qëndrojnë në lojë për kualifikim, por me gjasa shumë të vogla, me 7 pikë pas 7 ndeshjeve të zhvilluara.