SULMUESI I KOSOVËS
Rrahmani: Do ta lë shpirtin në fushë
10 October, 2023 @15:33
Sulmuesi Albion Rrahmani pritet të përfitojë nga mungesa e Vedat Muriqit në ndeshje ndaj Andorrës duke qenë se pritet të bëhet përzgjedhja e parë e sulmit të Kosovës.
Muriqi kishte marrë karton të kuq në përballjen e kaluar të Kosovës, ndaj Rumanisë dhe për këtë duhet të pushojë një ndeshje, pasi që pranoi dy të verdha dhe jo një të kuqe direkt.
TABELA AKTUALE, ORARI dhe REZULTATET
E Rrahmani, pas stërvitjes së radhës me Kosovën ka folur për faqen zyrtare të FFK-së, ndërsa ka thënë se do ta lë shpirtin në fushë në ndeshjen ku i ipet rasti.
“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 përqind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë. Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndrruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, ka thënë Albion Rrahmani, i cili po kalon formë të shkëlqyeshme me ekipin e tij, Rapid Bukuresht dhe që pritet të ketë hapësirë për t’i treguar vlerat e tij për shkak të mungesës së Vedat Muriqit.
Kosova më 12 tetor është mysafire e Andorrës, ndërsa më 15 tetor do të pret Izraelin. Mirëpo, ndeshja ndaj Izraelit është pranë shtyerjes për shkak të situatës së krijuar atje së fundi.