NGA KONFERENCA E SELEKTORIT GLIHA
Edhe tre të lënduar te Kosova para ndeshjes së radhës
Teksti: FFK
9 October, 2023 @13:59
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha ka mbajtur konferencë për media në prag të ndeshjeve ndaj Andorrës dhe Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024. Sa i përket ndeshjes me Izraelin menaxheri i kombëtares, Bajram Shala ka thënë se sipas të gjitha gjasave ajo do të shtyhet për shkak të ngjarjeve të fundit në Lindjen e Mesme, por që UEFA ende nuk ka dhënë vendim përfundimtar sa i përket kësaj ndeshje.
E situata në prag të ndeshjes me Andorrën për Dardanët nuk është e mirë, duke pasur parasysh faktin se tre lojtarë që ishin pjesë e listës janë lënduar në ndeshjen e fundjavës me ekipet e tyre: Ismajl Beka, Shkëlqim Vladi dhe Leart Paqarada, e mungesa e të cilëve është e konfirmuar, derisa sa i përket Edon Zhegrovës mbetet të shihet se si do të rezultojnë testet e fundit mjekësore. Ai ka bërë të ditur se pas këtyre mungesave përzgjedhësi Gliha ka ftuar në grumbullim mbrojtësin e Torinos, Mërgim Vojvoda.
“Në këtë situatë në të cilën jemi aktualisht po thuajse kemi një ekip të ri, ngase kemi shumë mungesa. Andorra është ekip goxha i vështirë për të luajtur, ngase luan mbrojtje shumë të ngjeshur dhe është e vështirë t’i shënosh gol. Andorra luajti 0:0 me Bjellorusinë, 1:1 me ne, Zvicra ka fituar 2:1, ndërsa me Izraelin deri në minutën e 70-të ishte 1:1. Mirëpo, në futboll asnjëherë nuk e dimë çfarë mund të ndodhë. Për mua është e rëndësishme që futbollistët nga Superliga e Kosovës dhe ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të luajnë shumë deri më tash të tregojnë lojë të mirë sepse kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij ekipi”, ka thënë Gliha.
I pyetur rreth rastit në ndeshjen e fundit kundër Rumanisë me Zhegrovën, Gliha ka thënë se ai ishte i veçantë. “Me Rumaninë ka qenë një situatë speciale, ku të gjithë ishin të drejtuar kah gjyqtari dhe delegati pas asaj që ndodhi. Nuk ishte aspak ndeshje e lehtë në aspektin emocional, nëntë kartonë të verdhë dhe një të kuq. Unë jam përpjekur për t’i qetësuar lojtarët që mos të marrin ndonjë karton tjetër. E kam tërhequr Zhegrovën për ta motivuar dhe i kam thënë shko përpara shëno tre gola dhe kundërpërgjigjiu tifozëve dhe ambientit të tillë agresivë”, ka shtuar Gliha.
Ai ka thënë se për shkak të mungesave të shumta do të mundohen të adaptohen me sistemin e lojës dhe t’i japin më shumë hapësirë lojtarëve që nuk kanë luajtur aq shumë deri tash.
Trajneri e mbylli konferencën me shprehjen e besimit në ekipin e tij dhe shpresën për një rezultat të favorshëm në ndeshjen me Andorrën, e cila zhvillohet të enjten në Andorra la Villa.