MEDIA TALK
Çuni dhe Muçolli, dy ftesat që po i përgatit Sylvinho
25 September, 2023 @21:53
Tiranasja Panorama Sport ka bërë të ditur sot në një artikull se përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, është duke përgatitur ftesat e muajit tetor ku Shqipëria luan ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Çekisë për kualifikime drejt EURO 2024, si dhe miqësoren ndaj Bullgarisë.
E në ftesat për ndeshjet e tetorit, është thënë se braziliani në krye të kuqezinjëve po përgatit dyshen Marvin Çuni dhe Arbnor Muçolli.
Kush është Marvin Çuni?
Çuni i lindur në Gjermani, është 22 vjeçar dhe 188 centimetra i gjatë. Ai ka qenë te të rinjtë e Bayernit, ndërsa është huazuar në Paderborn e Saarbrucken, para se të bëhet pjesë e Frosinones në Serie A të Italisë. Çuni ka luajtur për Shqipërinë U-19, ndërsa më pas nuk është ftuar më. Te Frosinone ai deri tash ka luajtur rreth 100 minuta në katër ndeshje prej pesë xhirove të zhvilluara në Serie A.
Kush është Arbnor Muçolli?
Lojtari tjetër që pritet të merr ftesë nga Sylvinho është Arbnor Muçolli. Ai është duke kaluar formë të mirë te Göteborgu suedez, ndërsa ka shënuar 5 gola në 10 paraqitje këtë vit. Para kësaj sulmuesi i krahut 24 vjeç ka qenë pjesë e Vejles. Muçolli është i lindur në Danimarkë. Ai ka luajtur për Danimarkën U-18, ndërsa më pas është paraqitur për Shqipërinë U-21 dhe ka qenë i ftuar për seniorët gjatë vitit 2022, ndërsa ka luajtur në ndeshje ndaj Armenisë dhe Estonisë (të dyja miqësore). Prej ndeshjeve zyrtare, ai ka qenë i ftuar në duelet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit e Islandës, por s’ka regjistruar minuta në fushë.
Të pazëvendësueshmit
Sylvinho prej se ka marrë drejtimin e Shqipërisë deri tash ka përdorur 24 lojtarë në ftesat e tij. Prej tyre, vetëm dy kanë luajtur minutat e plota në kualifikuese për EURO 2024. Nga 450 minuta te Sylvinhoja që janë treguar të pazëvendësueshëm kanë qenë Ylber Ramadani dhe Elseid Hysaj.
Në rast se Sylvinho fton dyshen e përmendur, Çuni e Muçolli, atëherë lista e tij do të zgjerohet në 26 futbollistë të ndryshëm të ftuar gjatë kampanjës për EURO 2024. Përndryshe, Shqipëria me një fitore potenciale ndaj Çekisë mund të bëj hapin e madh drejt evropianit të radhës, pasi që në dy ndeshjet e fundit kualifikuese do të pret Ishujt Faroe dhe do të udhëtojë drejt Moldavisë.