EURO-2025
Shqipëria organizon EURO 2025 për U-17
26 September, 2023 @15:52
Lajme të mira për Shqipërinë nga Limasoli nuk kanë të ndalur. Pas zgjedhjes së Armand Dukës nënkryetar të UEFA-së, FSHF ka bërë të ditur se Shqipëria ka fituar edhe organizimin e EURO 2025 për grupmoshat U-17.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur një tjetër sukses historik, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri finalet e një turneu madhor ndërkombëtar për moshat. UEFA ka vendosur t’i besojë FSHF-së dhe Shqipërisë mikpritjen e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.” ka shkruar njoftimi i FSHF-së.
“Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë, apo edhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n të sjellë në vendin tonë një ngjarje madhore.” - ka shtuar njoftimi i FSHF-së më tej.
Kështu, pas finales së Ligës së Konferencës në maj të vitit të kaluar, ku luajtën Roma dhe Feyenoord, Shqipëria merr organizimin e një ngjarjej tjetër të madhe nga UEFA-ja.