UEFA NJOFTON
Prej 3 tetorit, 1.2 milionë bileta për EURO 2024 në shitje
13 September, 2023 @14:05
Përmes një njoftimi UEFA ka zyrtarizuar fillimin e shitjes së biletave për Kampionatin Evropian EURO 2024 që do të mbahet në vitin e ardhshëm në Gjermani.
Gjermanja Kicker kishte bërë të ditur lajmin së pari, ndërsa disa orë më vonë, edhe UEFA në faqen e vetë zyrtare plasoi lajmin për t’i gëzuar tifozët anembanë Evropës dhe më gjerë për ngjarjen më të madhe futbollistike në kontinentin e vjetër.
Biletat nga 3 tetori 2023 do të blihen me aplikim, ku të gjithë të interesuarit do të kenë të drejtë të njëjtë, pasi që këtë e kryen sistemi automatik. Duke menduar për tifozërinë, UEFA-ja ka bërë që biletat më të lira të fazës grupore të jenë në çmim prej 30 eurove në fazën grupore.
Do të jenë 1.2 milionë bileta në shitje prej 3 tetorit kur sistemi hapet në ora 14:00 pasdite. Kjo do të zgjasë deri më 26 tetor 2023, ndërsa tifozët do të mund të kuptojnë më vonë nëse janë përzgjedhur për të pasur biletë. Një milionë bileta tjera do të jenë në shitje në marrëveshje me Federatat që do të sigurojnë kualifikimin për në EURO 2024, ku këto do t’ia nisin shitjen prej 2 dhjetorit të këtij viti.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO 2024
UEFA ka garantuar paanshëmëri për secilin aplikant për bileta.
“Mundësia më e mirë për të blerë bileta për UEFA EURO 2024 është që të aplikohet për bileta prej datës 3 deri më 26 tetor të vitit 203. Të gjitha biletat do të jenë në llotari transparente. Secili aplikant do të ketë mundësi të njëjtë përfitimi, pa marrë parasysh nëse ka bërë aplikimin më herët apo më vonë në datat e dhëna,” ka shkruar UEFA-ja ndër të tjera në njoftim.
Ata që aplikojnë për bileta, do të kenë mundësinë që të aplikojnë për katër bileta maksimalisht për një ndeshje. Dyqind e shtatëdhjetë mijë bileta do të jenë me çmim prej 30 eurosh, ndërsa për finalen e UEFA EURO 2024 10 mijë bileta do të jenë me çmim nën 100 euro.
Deri tash, në EURO 2024 si organizatore, kualifikimin e ka të siguruar Gjermania, ndërsa Skocia, Franca, Anglia dhe Portugalia janë shumë afër sigurimit matematik të kualifikimit. Shqipëria, gjithashtu, në tri ndeshjet e mbetura me 5 pikë të fituara do të siguronte matematikisht kualifikimin, ndërsa nëse varet prej rezultateve tjera do të mund të siguronte Kampionatin Evropian edhe me 3 ose 4 pikë. Kosova, me humbjen e 12 shtatorit nga Rumania ka humbur gjasat për kualifikim në EURO 2024.