OPINION
Kampanja e dështuar drejt EURO 2024! Si nisi e si përfundoi para kohe?
Shkruan: Dren Shporta
13 September, 2023 @15:12
Kot nuk thuhet dita e mirë shihet në mëngjes. Te Kosova si ekip, duke nisur prej Federatës së Futbollit të Kosovës, asgjë nuk nisi mirë. Nuk nisi mirë së pari me deklaratën e kreut të FFK-së pas shortit, kur proklamoi grupin e lehtë dhe mbushi me entuziazëm publikun. Ndërsa në një mbledhje me veteranët e futbollit tregoi teorinë e tij “Me Kosovën në Evropian” duke e lidhur atë me kontratat e futbollistëve që luajnë për Kosovën!!!
Kjo, po që ishte e pamatur, ishte edhe e paparë më herët nga një drejtues Federate. Kreu i FFK-së kishte thënë disi në atë mbledhje se pasi që lojtarët e Kosovës kanë kontrata me klubet ku luajnë përgjatë stinorit 2023/24 e dikush edhe më shumë, atëherë ata nuk do të kenë brengën për gjetje klubi gjatë kampanjës kualifikuese për UEFA EURO 2024, mars-nëntor 2023, dhe do të kenë koncentrim të plotë te kombëtarja, ndeshjet dhe rezultatet për tu arritur, pasi që sipas tij grupi me kundërshtarë si Zvicra, Rumania, Izraeli, Bjellorusia e Andorra - ishte i lehtë.
GRUPI I KOSOVËS
Në fakt, grupi doli të jetë i lehtë, por vetëm në letër për Kosovën, që nisi kampanjën kualifikuese me përzgjedhësin, ish-lojtar shumë i njohur i Francës por trajner nën-mesataren evropiane, Alain Giresse. E kjo u reflektua menjëherë edhe në rezultate. Pas një barazimi të këndshëm ndaj Izraelit në fillim të kampanjës kualifikuese, vetëm pas tre ditëve erdhi zhgënjimi i madh.
Kosova barazoi me ekipin më të dobët të grupit, sipas vazove të UEFA-së, Andorrën. Dardanët barazuan edhe në këtë ndeshje, njëjtë si në Izrael, 1-1. Disi u përbi edhe ky fakt dhe shpresat shkuan në qershor kur në Kosovë vinte Rumania, ndërsa Dardanët më pas udhëtonin për ndeshje ndaj Bjellorusisë.
Qershori edhe më i keq. Barazim në terrenin e vështirë të “Fadil Vokrrit” në të cilin nuk ka përkujdesje të duhur, ndërsa më pas rrënimi i madh i ëndrrës drejt UEFA EURO 2024 - humbja nga Bjellorusia! Pushimet verore shkuan, Giresse u largua, ndërsa FFK duke pasur mundësinë që të angazhojë një përzgjedhës që do të punonte në këto kualifikime për të përgatitur ekipin sa më të mirë, ose për të ripërtrirë gjithçka për kualifikimet e radhës dhe Ligën e Kombeve të radhës, zgjodhën emrin e njohur Primoz Gliha. Të njohur në Kosovë, pasi që slloveni kishte punuar bashkë me Bernard Challandes e një kohë edhe selektor i përkohshëm i Kosovës.
SHPRESAT
Një mini-ngritje e shpresës u bë me barazimin ndaj Zvicrës këtë shtator, kur zviceranët pas loje kritikuan Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për mosshfaqjen e potencialit të plotë në ndeshje ndaj Kosovës, ndërsa ambiciet shkuan për në fitore në Rumani, ku Kosova do të ringjallte edhe shpresën e fundit për të kërkuar “mission impossible” në tetor dhe nëntor të këtij viti në katër ndeshjet e mbetura.
E më 12 shtator në Rumani ishte rezervuar një tregim tjetër për shpresën e Kosovës. Së pari thirrjet anti-kosovare të një grupi “ultrasish” rumun bënë që ndeshja të ndërprehet për rreth 40-minuta, ndërsa pas vazhdimit të duelit dhe dy rasteve të mira për Kosovën ishte kartoni i kuq i Vedat Muriqit që vështirësoi gjithçka.
Këtu nuk përfundoi agonia. Djelmoshat e Kosovës u mbrojtën mirë, portieri mbrojti edhe penalltinë e rumunëve, por një ekip që kërkonte fitore në këtë ndeshje koxha minuta të pjesës së dytë, përkundër se me një lojtar më pak në fushë, luajti pa sulmues!!! Ekipi që kërkonte fitore - luajti me një mesfushor që do të kërkonte golin duke u lënë përgjithësisht i vetëm në mes të fushës dhe për atë që njihet si jo shumë i shpejt për rastet e kundërsulmeve. Kosova assesi nuk arriti që gjithë atë “urrejtje” nga tribunat ta kthente në “inat” loje për ta fituar ndeshjen, por ra në dëshpërim - plot kartonë dhe nervozë, thuajse secili me secilin. Pos përzgjedhësit Gliha, në këtë ndeshje u zverdhën edhe Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda, Bernard Berisha, Florian Loshaj, Visar Bekaj dhe dy herë Vedat Muriqi, që edhe u skuq ende pa përfunduar pjesa e parë!
Furia rumune goditi më në fund! Kulla e letrave të shpresës u rrënua pas minutës së 80 të ndeshjes kur pas golit të parë Rumania iu afrua fitores tashmë, ndërsa në minutat shtesë të ndeshjes mbylli gjithçka për 2-0 përfundimtare. Pas ndeshjes, Edon Zhegrova foli për mediat, duke kërkuar që më të moshuarit e ekipit të tregojnë të vërtetën brenda kampit të Kosovës. Së paku kështu u kuptua fjalimi i tij. Por, as aty nuk përfundoi. Ai të nesërmen demantoi fjalët e veta, duke thënë se ka menduar për ndryshime “brenda fushës së lojës”.
VJESHTA SI MËSIM PËR PLANIFIKIM
Sot, kur po afrohet vjeshta zyrtare, rrugëtimi i Kosovës për UEFA EURO 2024 drejt Gjermanisë u venit si gjethet e pemëve që do të bien përgjatë tre muajve të radhës. Zvicra është lidere e grupit me 14 pikë, Rumania ndjekëse me 12, ndërsa Izraeli me gjasa të mira me 11 pikë.
Kosova, bashkë me Andorrën, është ekipi i vetëm që s’ka shijuar fitoren në grup. Kosova ka 4 pikë sa ka edhe Bjellorusia, ndërsa Andorra e fundit në grup ka 2 pikë. Në tetor dhe nëntor, kur do të luhen ndeshjet për prestigj të Kosovës, do të ishte mirë që FFK të angazhojë përzgjedhësin me të cilin mendon me të vërtetë të arrijë synim për një kampanjë kualifikuese të denjë, së paku të jetë në garë deri në fund të saj, ndërsa si synim të vendosej së paku ngritje një ligë më lartë në atë të Kombeve. Kjo e fundit duket më reale dhe me mundësi më te lehtë, ndërsa për më tepër do të hapte rrugë për një EURO tjetër me playoff potencial.
SHEMBUJT RAJONAL
E përzgjedhësi i ri që do të kishte ardhur, pos që të jetë ambicioz, të jetë edhe emër prej të cilit FFK nuk do të kërkojë “mundësi” për paraqitjen e lojtarëve në fushë dhe nuk do t’i përzihej në detyrën që ka. Si shembull i mirë është Greqia që pas mosarritjes së kalimit në Ligën B të Kombeve kur ishte në grup me Kosovën mori si përzgjedhës ambiciozin Gustavo Poyet. Nuk është fjala vetëm për Poyet, por për ekipin e tij, pasi që Poyet siç themi ne këtu ishte vetë i pesti në stafin e trajnerëve. Ai nuk kushton më shumë se 600 mijë euro në vjet. Mirëpo, Greqia u ngrit në Ligën B të Kombeve, ndërsa tash po lufton kokë-më-kokë me Holandën në grup me Francën për të kërkuar UEFA EURO 2024.
Greqinë si shembull e mora pasi që ata e bënë të parët këtë. Nuk e di nëse kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit e ka parë këtë model, por edhe ai e bëri të njëjtën. Angazhoi një përzgjedhës më të ri, ambicioz mbi të gjitha, me qëndrim koxha të madh në krahasim me të kaluarin në Shqipëri, kurse Sylvinho ishte aty vet i katërti. E gjëja tjetër që po duket, së paku në fushë, se kreu i FSHF-së nuk po i përzihet Sylvinhos në ftesa, punë e ekip - por po i zbaton kërkesat e tij. Braziliani në krye të Shqipërisë po punon për një Shqipëri që i kanë mbetur pak hapa për të siguruar UEFA EURO 2024, duke pasur përballë Poloninë dhe Çekinë, pa nënçmuar edhe Moldavinë që po shtyhet mjaft me secilin në grup dhe për më tepër - ka shpresa ende për kualifikim!
i:
Qëndrimet e autorit të tekstit nuk paraqesin qëndrimet e redaksisë së TopSporti.com. |