KOSOVA
Stërvitja mbahet, por mungesat “shkaktojnë kokëdhimbje”
Teksti: FFK
9 October, 2023 @22:27
Kombëtarja e Kosovës nisi sot përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, kundër Andorrës, që zhvillohet më 12 tetor dhe kundër Izraelit, e paraparë të luhet më 15 tetor, por sipas të gjitha gjasave kjo ndeshje do të shtyhet për shkak të situatës së krijuar në Izrael.
Një pjesë e futbollistëve dardanë kanë stërvitur pasdite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, derisa disa prej lojtarëve që kanë arritur më vonë kanë bërë stërvitje në palestër në hotel.
Për ndeshjen me Andorrën, përzgjedhësi Primozh Gliha do të ketë mungesa të shumta, ngase përveç Vedat Muriqit të pezulluar, do të mungojnë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada dhe Shkëlqim Vladi, të cilët pësuan lëndime në ndeshjet e fundjavës me klubet e tyre, derisa në dyshim mbetet Edon Zhegrova, i cili është në pritje të rezultateve nga ekzaminimet e fundit mjekësore.
Stërvitja e sotme ka qenë pa ngarkesa dhe më shumë ka shërbyer si rigjenerim për lojtarët.
Kosova luan si mysafire kundër Andorrës më 12 tetor, në orën 20:45, ndeshje në të cilën synon të realizojë fitoren e parë në fushatën kualifikuese për Euro 2024.
Seancën e radhës stërvitore Dardanët e zhvillojnë të martën në orën 11:30 në Hajvali, derisa të mërkurën në mëngjes nisen drejt Andorrës.