SQAROHET BUNJAKI
Sistemimi kërkon së paku 15 ndeshje
7 November, 2016 @14:45
Kosovës i duhen ndeshje sa më shumë. Kjo ka qenë ndër të tjera ajo që ka thënë selektori Albert Bunjaki në konferencën për shtyp të mbajtur sot në Prishtinë.
“Synimi kryesor i Kosovës mbetet kualifikimi për EURO 2020,” ka thënë Bunjaki.
Derisa ka shtuar se për sistemimin e një ekipi duhen së paku 15 ndeshje bashkë të lojtarëve, derisa Kosova tash ka zhvilluar 4 dhe lojtarët çdo ditë po shtohen dhe po njihen me njëri-tjetrin më mirë.
“Na duhet kohë ende për komponim dhe jemi reprezentacioni senior më i ri në botë,” ka shtuar ai.
Kosova ka fituar një pikë deri më tani në ciklin kualifikues nga 3 ndeshjet e para. Ndaj Turqisë zhvillohet ndeshja e katërt.
“Ne kemi lojtarë shumë kreativ dhe në momentin kur hupim top, menjëherë rrezikohemi. Kjo nuk është dobësi e mbrojtjes ose e sulmit, kjo është pjekuri. Në momente të caktuara ne nuk mund të jemi në nivelin e ekipeve si Kroacia ose Ukraina dhe kjo kushton. Prandaj koha dhe përvoja do ta forcojnë Kosovën,” ka shtuar Bunjaki sot.
Për më tepër ai ka shtuar se lojtarët që i ka në dispozicion Kosova i mundëson vendit lojë sulmuese.
“Unë mund të mos ftoj lojtarët me tipare vetëm sulmuese si Rashica, Zeneli apo Celina, por çka pastaj? A e duam ne këtë? Mos harroni Suedia gjatë gjithë EURO 2016 ka pasur vetëm një shut në portë kundërshtare dhe çka? A duam kësi futbolli? Mënyra e zhvillimit tonë do të jetë kjo, pjesa më e madhe e lojtarëve janë ofanziv dhe Kosova do të luaj ashtu,” ka sqaruar ai.