Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

HUMBEN SHPRESAT

S’ka fitore as ndaj Rumanisë, Kosova mbetet pa fitore në kualifikime për EURO 2024!

Foto: FFK

S’ka fitore as ndaj Rumanisë, Kosova mbetet pa fitore në kualifikime për EURO 2024!


16 June, 2023 @22:32

Ka përfunduar edhe ndeshja e tretë kualifikuese për EURO 2024, ndërsa Kosova nuk ka arritur të shënojë fitore as në duelin e tretë në kuadër të Grupit I kualifikues, pasi që sonte barazuan me Rumaninë në Fadil Vokrrin e vështirë për tu luajtur për shkak të rreshjeve, Kosova 0-0 Rumania.

Pas një paraqitjeje të matur në pjesë të parë, ku më e rrezikshme me raste u shfaq Rumania, ndërsa Kosova njëherë rrezikoi seriozisht përmes Bersant Celinës, që ishte e lehtë për tu mbrojtur nga portieri rumun Horai Moldovan, futja e Edon Zhegrovës në pjesë të dytë të ndeshjes në vend të Milot Rashicës sikur ndezi motorët e Dardanëve.

Zhegrova ngjalli anën e djathtë, ndërsa me depërtimet e tij mundësoi krijim, e prej anës tjetër edhe arriti të shënojë, kur pranoi një top nga Bersant Celina, që më pas u pa se ky i fundit ishte në ofsajd, për tu analuar goli dhe për të vazhduar me 0-0!

TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE

Tentimet rumune dukeshin më konkrete, por në momentet që gjenin kornizën e portës së Kosovës, topi shkonte te Arijanet Muric, që gjendej në vend. Amir Rrahmani stoikisht organizonte mbrojtjen e dalldisur të Kosovës gjatë kundërsulmeve të shpejta rumune, ndërsa mesfusha e dobët dhe jokrijuese edhe njëherë ra në sy, duke mos mundur të çanin rrugë kah mesi drejt portës rumune.

As zëvendësimet tjera, të krahëve nuk bënë punë për Kosovën derisa Jetmir Topalli e Hekuran Kryeziu që u futën në vend të Florent Muslijës dhe Ibrahim Dresevicit nuk sollën asgjë tjetër interesante.

Në fund, kur Zhegrova rrëzoi dy mbrojtës rumunë, ka qenë Vedat Muriqi që në minutën e 90 nuk gjeti kornizën e portës së Moldovanit në një goditje të bukur të tijën i rikthyer si një 9-she klasike.

Me këtë barazim, Kosova bie në vend të katërt në Grupin I kualifikues, me 3 pikë nga 3 ndeshje, duke qenë vetëm para Bjellorusëve dhe Andorrës.◼️

 


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian