DUELI I NATËS
Spanja e pakapshme për Francën
3 September, 2014 @23:52
Skuadra e Spanjës është treguar arrë e fortë për Francën sonte duke e mposhtur thellë 88-64. Ekipi i udhëhequr nga trajneri Juan Orenga është treguar i pakapshëm kundrejt kampionit të fundit europian duke krijuar avantazh çerek pas çereku për të përmbyllur ndeshjen me mbi 20 pikë epërsi, saktësisht 24 pikë.
Spanjolli i NBA-së, Marc Gasol, ka qenë i pakapshëm për mbrojtjen e Trekolorëve. Ai ka shënuar 17 pikë dhe ka rrëmbyer 6 kërcime për të shtuar 3 vjedhje topi, 2 asistime dhe 1 bllokadë në fitoren e katërt të ekipit të tij në Grupin A.
Saktësia e madhe nga gjuajtjet e lira, ka qenë edhe një faktor i rëndësishëm te spanjollët, të cilët kanë pasur saktësi prej 82% nga pikët e penalltisë.
Te françezët, Florent Pietrus, ka qenë ai që luftoi më së shumti përkundër se shënoi vetëm tre pikë. Pietrus arriti 8 kërcime dhe dy asistime të rëndësishme gjatë ndeshjes, ku ekipi i tij regjistroi disfatën e dytë të Botërorit dhe tashmë është ndalur në pozitën e katërt - një xhiro pa përfunduar faza e parë grupore e “Spanja 2014”.
Spanja vazhdon të mbetet lidere e Grupit A me të gjitha fitore dhe në ndeshjen e fundit e pret qetë Serbinë, e Franca Iranin.
Tabela aktuale, Grupi A:
1 | Spanja | 4-0 | ||
2 | Brazili | 3-1 | ||
3 | Serbia | 2-2 | ||
4 | Franca | 2-2 | ||
5 | Irani | 1-3 | ||
6 | Egjipti | 0-4 |