GJILANI - DRENICA
Super Progni, lideri bie në Gjilan
20 October, 2021 @14:58
Ndeshja kryesore e ditës në Superligë, ajo mes Gjilanit dhe Drenicës, është mbyllur me fitoren e skuadrës vendase.
Gjilani i Ismet Munishit e mposhti 2-1 (Gerhard Progni 65’, (P) 77’ / Baton Zabërgja 83’) Drenicën, për ta zbritur këtë të fundit nga vendi i parë, e për t’u ngjitur vet në vetëm një pikë larg kreut.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, e rastin më të mirë për shënim në këtë pjesë e pati Gerhard Progni i Gjilanit, i cili me të djathtën nga një distancë jo fort e madhe gjuajti jashtë portës (35’).
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në minutën e 65’, kur pikërisht Gerhard Progni ia dha epërsinë Gjilanit me një supergol nga distanca.
I njëjti lojtar, kapiteni Progni, e shënoi edhe golin e sigurisë për Gjilanin, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë (77’), e kështu vendasit krijuan epërsi të dyfishtë.
Në minutën e 83’, Baton Zabërgja, i asistuar nga Hysen Tahiri, e ngushtoi rezultatin në 2-1, por kjo ishte e tëra çfarë mysafirët bënë. Gjilani u mbajt mirë dhe e mbylli ndeshjen me fitore 2-1.
Me këtë humbje, Drenica ka rënë në vendin e dytë, me një pikë me pak se Ballkani, ndërkohë që edhe Gjilani ka pikë të barabarta me Drenicën.
Xhiron që vjen, Gjilani e pret Niklin, kurse Drenica luan në shtëpi ndaj Dukagjinit.