SHIMA
Tirana, një tjetër mundësi për Shimën
5 January, 2016 @20:00
Njëri prej basketbollistëve më të suksesshëm të Bashkimit gjatë pjesës së parë të kampionatit, Gerti Shima, ende nuk e ka të qartë se për kë do të luajë në pranverë.
Megjithëse nga drejtuesit e klubit prizrenas është thënë se nuk do të ketë largime gjatë janarit, çështja e Shimës duket diç më e komplikuar.
Përveçse është përfolur për një rikthim të mundshëm te Peja, së fundi janë përhapur zërat edhe për kalimin e tij te Sigal Prishtina, që duket të jetë shumë pranë realizimit.
Ndërsa tani, dyert i ka hapur edhe skuadra shqiptare, Tirana, e cila po synon titullin në Shqipëri, ndërsa “thashethëmet” janë rritur dukshëm kur u publikua sot fotografia e Shimës në Instagram së bashku me trajnerin e Tiranës, Ronald Avrami.
Mirëpo, marrëveshjen me Tiranën e ka mohuar vetë trajneri i kësaj skuadre, Ronald Avrami, i cili ka folur ekskluzivisht për Borozani.com, duke lënë megjithatë një derë të hapur.
“Gerti Shima është rrit këtu dhe në kohën e lirë ai stërvitet rregullisht te ekipi i tij mëmë, Tirana. Në bisedë me të, u trajtua puna me profesionalizëm që po bëhet në Kosovë dhe normalisht unë e kam vënë re rritjen e tij profesionale nga mënyra e filozofisë për lojën, ku duket shkalla e rritjes së tij si lojtar. Nëse me Sigal Prishtinën nuk do gjente hapësirat e nevojshme, do të shihnim si sekondare mundësinë e aktivizimit te Tirana. Por megjithatë, besoj se vetëm pas këtij kampionati është mundësia që ai të jetë me Tiranën,” tha Avrami, duke konfirmuar gjithashtu bisedimet e basketbollistit me Sigal Prishtinën.
Trajneri i Tiranës gjithashtu ka shprehur interesimin edhe për basketbollistin tjetër të Bashkimit, Endrit Hysenagolli, i cili me shumë gjasë deri në fund të kampionatit do të jetë pjesë e prizrenasve.