LEOTRIM KRASNIQI
Trajneri i Besës i drejtohet publikut para ndeshjes së fundit
20 May, 2021 @21:02
Besa është skuadra e vetme në Superligë që ka humbur gjasat për mbijetesë qysh javë më parë.
Trajneri i kësaj skuadre, Leotrim Krasniqi, para ndeshjes së fundit kampionale që do të luhet këtë javë, i është drejtuar publikut nëpërmjet një shkrimi që ka shkruar në profilin e tij në Facebook.
Krasniqi ka lëvduar ekipin e tij për karakterin e fortë dhe profesionalitetin e treguar në fushë, ndërkaq shprehu keqardhjen për humbjen e statusit të elitarit. Ai gjithashtu falenderoi edhe drejtuesit e klubit për besimin dhe korektësinë e treguar.
Besa ndeshjen e fundit do ta luajë si vendase përballë Gjilanit.
Më poshtë shkrimi i plotë i trajnerit Leotrim Krasniqi:
“Këtë javë zhvillohet ndeshja e fundit e sezonit tim të parë si kryetrajner i ekipës së parë të klubi Besa nga Peja, në 6 mujorin e dytë të kampionatit.
Sezon aq sa i vështirë, aq edhe i dobishëm për mua, stafin dhe futbollistët të cilët më kanë bërë krenar me punën, lojën dhe disiplinën që kanë treguar në çdo trening dhe lojë.
Kemi ditur të qëndrojmë të fortë përtej rezultateve, duke punuar çdo herë e më fortë që të ngrisim nivelin e secilit lojtar dhe të ekipit në përgjithësi duke krijuar një filozofi të lojës ofansive, ku futbollistët kanë treguar personalitet dhe karakter të fortë në çdo lojë.
Besa ka humbur statutin elitar dhe për këtë na vije keq, mirëpo po besoj që kemi dhënë shembull se si duhet të mbrohet profesioni i futbollit me profesionalizëm, duke ruajt nderin me krenari, duke luajtur në limit të maksimumit ndaj çdo kundërshtari, duke qëndruar të pastër për ta respektuar veten tonë edhe pse ishim në pozitën e fundit në tabelë.
I falenderoj udhëheqësit e klubit për besimin dhe korrektësinë, lojtarët për respektin, stafin për bashkëpunimin e sinqertë dhe në mendjen e secilit prej nesh gjatë gjithë kësaj kohe ishte që nuk duam të fitojmë asgjë pa djersë dhe nuk do t’i japim askujt asgjë pa e merituar .”