FERIZAJ

Trajneri i dytë i larguar në Superligë!
9 October, 2022 @20:49
Pas barazimit të sotëm, krejt në fund të ndeshjes ndaj Gjilanit, trajneri i Ferizajit Arbnor Morina ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të ekipit të rikthyer në elitë.
Ferizaji kapi epërsinë dhe ishte në kërkim të fitores së dytë sezonale, mirëpo në kohën shtesë një goditje e Arbnor Ramadanit, pak e devijuar që përfundoi në portë të ferizajasve bëri që ndeshja të përfundonte 1-1, që si duket vulosi fatin e Morinës.
Ferizaji kishte disa gjysmëraste për të shënuar pas epërsisë, por asnjëri nuk arrinte ta kalonte Enea Koliçin në portë. Gjilani siguroi pikën, ndërsa Ferizaji nuk arriti të dalë nga fundi i renditjes tabelare pas këtij barazimi.
“Këtë vendim e kam marrë pasi që prej xhiros së parë kemi qenë ekip që kemi tregu futboll të mirë, kemi shënu por nuk kemi mundur të mbajmë rezultatin. Besoj se reflektimi im do t’ia kthejë Ferizajit ditët që i kemi kaluar në Ligën e Parë,” ka përcjellë faqja e klubit fjalët e Morinës me rastin e largimit të tij.
Morina ka shtuar se ekipi ka nevojë për “infuzion” për të vazhduar rrugën drejt cakut.
“Periudha e kaluar në Ferizaj është shumë e këndshme për mua, mirëpo klubi ka nevojë për një infuzion që të vazhdojë rrugëtimin për te caku i vënë,” ka shtuar ndër të tjera Morina.
Në ditët në vijim, pritet të shihet se cili trajner do të merr drejtimin e Ferizajit pas largimit të Morinës nga klubi. Kujtojmë, Morina kishte marrë drejtimin e Ferizajit pas xhiros së tretë të stinorit të kaluar në Ligë të Parë Grupi B. E solli në Superligë dhe tash, pas dhjetë xhirove të kaluara në Superligë, dha dorëheqje.