Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHQIPËRIA - KOSOVA

Vëllazërorja i takon Shqipërisë

Foto: Panorama Sport

Vëllazërorja i takon Shqipërisë


11 November, 2020 @17:53

Me fitoren e Shqipërisë është mbyllur vëllazërorja e luajtur sonte mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Një ndeshje që për arsye të ndryshme u luajt me mungesa të shumta në të dyja palët dhe pa shikues, në fund përfundoi 2-1 (Bekim Balaj 31’, Myrto Uzuni 65’ / Vedat Muriqi 85’) në të mirë të Shqipërisë.

Në mungesë të kryetrajnerit Bernard Challandes, i infektuar me COVID-19, Kosova sot u drejtua nga ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti.

TABELAT E LIGËS SË KOMBEVE

Në përgjithësi pjesa e parë ishte e zbehtë, me Shqipërinë që për një nuancë ishte më e mirë se Kosova dhe me meritë 45 minutëshin e parë e mbylli në epërsi 1-0.

Golin e vetëm në këtë pjesë e shënoi shkodrani Bekim Balaj në minutën e 31’, i shërbyer pas një depërtimi fantastik nga Myrto Uzuni prej krahut të majtë.

Përveç golit të shënuar, Shqipëria në pjesën e parë rrezikoi lehtë me një goditje të Uzunit (28’), por që goditja e tij u prit pa problem nga Aro Muric. Më tepër se kaq nuk pamë gjatë pjesës së parë në asnjërin cep të fushës.

Në pjesën e dytë, që filloi me plot ndryshime në formacion te të dyja skuadrat, Kosova startoi duke rrezikuar me një goditje të Edon Zhegrovës nga gjuajtja e lirë (53’), e më pas pati disa tentime për të sulmuar nga krahu i djathtë, por ishte Shqipëria ajo që e para gjeti golin edhe në këtë pjesë.

Pas një tjetër kundërsulmi fantastik, i shërbyer nga Selahi, Myrto Uzuni me të djathtën qëlloi për 2-0 në minutën e 65’ të ndeshjes.

Rreth gjashtë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, ishte Vedat Muriqi që penalltinë e fituar vet, e shndërroi në gol (85’), për ta ngushtuar rezultatin në 2-1, por për fatin e keq të Kosovës, ishte vonë për një barazim eventual dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Shqipërisë.

Te Kosova, që vazhdon të kalojë formë jo të mirë në vitin 2020, në këtë ndeshje në qendër të mbrojtjes si startues debutoi Betim Fazliji, preshevari 21-vjeçar që duket një lojtar premtues për të ardhmen e Kosovës. Gjithashtu, debutimin e tij me Kosovën sot e bëri edhe Mirlind Daku i Ballkanit, i inkuadruar nga banka rezervë rreth 6 minuta para fundit, një tjetër lojtar me shumë potencial.

Pas miqësores së luajtur sonte, Shqipëria dhe Kosova do t’i luajnë ndeshjet e tyre në kuadër të Ligës së Kombeve. Shqipëria fillimisht më 15 nëntor e pret Kazakistanin, e më pas më 18 nëntor e pret Bjellorusinë, kurse Kosova më 15 nëntor i shkon Sllovenisë e më pas më 18 nëntor e pret Moldavinë në Prishtinë.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga