FINAL SERIES: VËLLAZNIMI - FERONIKELI
Vëllaznimi fiton, barazohet seria
18 April, 2019 @20:43
Superliga mbetet në pritje të ekipit të ri pjesëmarrës të saj për sezonin e ardhshëm.
Në mungesë të amerikanit të lënduar Taaj Ridley, Vëllaznimi me komplet forcat vendore ka arritur të mposhtë Feronikelin në Shani Nushi sonte 73-65 për të barazuar serinë finale të PlayOffit të Ligës së Parë në 1-1.
Edmond Kryeziu dhe Ardit Memqaj kanë kryer ndeshjen me double-double për Vëllaznimin. I pari shënoi 22 pikë e 13 kërcime, ndërsa i dyti 13 pikë e 11 kërcime në fitoren e ekipit të drejtuar nga Shkumbin Kumnova.
Rol të rëndësishëm luajti edhe Dardan Brovina me 12 kërcime, 5 prej të cilave në sulm për ekipin gjakovar, derisa Atik Koshi shënoi 20 pikë e 5 asistime.
Shiko: PLAYOFF SKEMA
Te Feronikeli, që luajti mirë në çerekun e dytë dhe të tretë të ndeshjes, më i dalluari ka qenë Beqë Kovaçi me 16 pikë, 5 kërcime e 3 asistime. Derisa pikë të njejta shënoi edhe Desmond Gattis, bashkë me 5 asistime.
Arti Hajdari shtoi 13 pikë, derisa Muhamedali Janjeva dha 15 pikë e 8 kërcime për ekipin e drejtuar nga Petrit Zeqiri, që s’mjaftuan sonte.
Me këtë fitore të Vëllaznimit, seria u bë 1-1 dhe tashmë gjithçka do të vendoset në Drenas në vikend, kur luhet ndeshja e fundit dhe vendimtare për të përcaktuar ekipin që do të sigurojë biletën për Superligë sezonin e radhës.