Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUPERKUPA E KOSOVËS

Vendos goli i Dellovës, Ballkani fiton Superkupën!

Foto: FCBallkani/ fb

Vendos goli i Dellovës, Ballkani fiton Superkupën!


21 January, 2023 @14:55

Në Antalia të Turqisë, sot Ballkani e Llapi u përballen mes vete në kuadër të Superkupës së Kosovës.

Ballkani, fitues i ligës në sezonin e kaluar, sot u tregua më i mirë se Llapi, fituesi i Kupës sezonin e kaluar. Suharekasit përballjen e sotme e fituan me rezultatin përfundimtar 0-1.

Kjo është hera e parë që Ballkani e fiton trofeun e Superkupës së Kosovës.

TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë që Ballkani ishte skuadër më dominuese. Që nga minuta e 28’, Llapi mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi që Bekim Maliqi u përjashtua nga loja për shkak të dy kartonëve të verdhë.

E goli i epërsisë për Ballkanin erdhi në minutën e 62’. Krosimin e Armend Thaqit nga krahu i djathtë, maksimalisht e shfrytëzoi Lumbardh Dellova, i cili me kokë shënoi për epërsinë e suharekasve.

Gerhard Progni vs. Bajram Jashanica

Duke qenë me një lojtar më pak në fushë ndaj një kundërshtari të fortë si Ballkani, Llapi ishte i pafuqishëm për të treguar diçka pas golit të pësuar. Ballkani e menaxhoi mirë pjesën e mbetur të ndeshjes dhe e mbylli ndeshjen me fitore 0-1.

Pak sekonda para përfundimit të ndeshjes, mes futbollistëve të të dyja skuadrave pati një kacafytje. Madje, edhe anëtarët e bankave rezervë iu bashkangjitën kacafytjes në fushë, një pamje mjaft e shëmtuar për futbollin e Kosovës. Kjo bëri që dy lojtarët që e nisën kacafytjen të ndëshkoheshin me kartonë të kuq, Emërllahu i Ballkanit dhe Firmino i Llapit. Gjithsesi, kjo nuk luajti rol në epilogun final dhe ndeshja u mbyll me fitoren minimale të Ballkanit.

Në minutën e 77’ për Ballkanin në lojë u inkuadrua i sapoardhuri Lorenc Trashi, futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, i cili sot luajti për herë të parë për kampionin në fuqi të Kosovës.

Kujtojmë që Superkupën e fundit të Kosovës e kishte fituar Llapi, që në finale triumfonte 3-1 ndaj Prishtinës në gusht të vitit 2021.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga