WARRIORS - CAVS @ GAME 5

Vjen hakmarrja, Golden State fiton titullin!
13 June, 2017 @5:52
Me Golden Staten kampion është mbyllur sezoni 2016/2017 i NBA-së!
Skuadra e drejtuar nga Steve Kerr pas humbjes në ndeshjen e katërt, nuk lejoi ngushtimin edhe më të madh të serisë, duke shënuar fitore në ndeshjen e pestë dhe duke e fituar kështu titullin kampion. Kjo ishte një lloj hakmarrjeje e Warriors, pasi që vitin e kaluar ishin pikërisht Cavs ata që ia mohuan titullin Golden Statet, me rikthimin e mirënjohur prej 1-3 në 4-3.
Ndeshja filloi mirë për Cavaliers, mirëpo skuadra vendase lojën në dorë e mori që nga çereku i dytë dhe krijoi një epërsi, të cilën e mbajti deri në fund dhe nuk lejoi ndeshje të gjashtë, duke e mbyllur çështjen e titullit qysh sonte.
Rol në fitoren e Warriorsave pati edhe paraqitja tejet e dobët e bankës rezervë së Cavaliers, e cila shënoi më pak se 10 pikë, e në anën tjetër Warriors ishin superiorë në të gjithë aspektet e lojës, ndërsa ylli kryesor ishte Kevin Durant, i cili ashtu si në 4 ndeshjet e para, edhe sonte pati mbi 30 poena dhe ia siguroi vetes unazën e parë. Durant takimin e sontëm e mbylli me 39 pikë, 7 kërcime e 5 asistime.
Në anën tjetër, paraqitja fenomenale e LeBron Jamesit ishte e pamjaftueshme për ta befasuar Golden Staten, me Irvingun e Loven që nuk arritën ta shfaqnin më të mirën e tyre në momentet vendimtare.
Ky është titulli i dytë i Warriorsave në 3 sezonet e fundit, derisa Cavs duhet të mendojnë për ristrukturim të skuadrës para fillimit të sezonit tjetër.