MËRGIM VOJVODA
Vojvoda: Vendi im është Kosova
6 November, 2016 @19:26
Futbollisti i ri i përfaqësueses së Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka folur në një intervistë të gjërë për të përditshmen belge, La Derniere Heure.
Vojvoda ka marrë ftesë zyrtare nga Kosova për të luajtur kundër Turqisë më 12 nëntor, ndërsa në lidhje me këtë është deklaruar duke thënë se ka kohë që ka qenë në kontakte me përzgjedhësin Bunjaki dhe ftesa nuk ishte befasi për të.
“Jam shumë i kënaqur por jo i befasuar në veçanti,” ka thënë Vojvoda për të përditshmen belge, La Derniere Heure, pasi morri ftesën zyrtare nga përfaqësuesja e Kosovës.
“Trajneri i përfaqësueses është duke llogaritur tek unë. Ai ka ardhur disa herë për t’i përcjellur ndeshjet e mia me Mouscronin dhe kemi biseduar disa herë së bashku.
Vendi im është Kosova. Prindërit e mi janë nga ky vend. Unë kam lindur në Gjermani sepse familja ime ka ikur nga lufta. Por unë jam kthyer pas një viti. Dhe çdo vit ne kthehemi në Kosovë gjatë pushimeve,” ka thënë ai.
Më tej, Vojvoda ka folur edhe për Shqipërinë dhe arsyen që pikërisht në ndeshjen kundër Turqisë do të ketë rastin e debutimit.
“Me Shqipërinë, unë kisha dy lojtarë konkurrentë në pozitën e njëjtë, kështu që e ardhmja ime atje ishte paksa e pasigurt. Këtu ndjej se mund të arrij shumë. Unë kam qenë i zgjedhur edhe në fillim të stinorit nga Kosova, por pasaporta ime e Kosovës nuk ishte e vlefshme. Unë mund të kisha luajtur kundër Kroacisë, por ky është vetëm një vonim. Është krenari e madhe që mund të luajë në ndeshjen e ardhshme kundër Turqisë,” përfundoi 21 vjeçari nga Skënderaj.