SUPERLIGA
Ylli dhe Peja me numër maksimal të të huajve!
14 January, 2021 @21:27
Skuadra më e përforcuar deri më tani në Superligë, Golden Eagle Ylli, si dhe skuadra e Pejës e cila po ashtu pritet të jetë ndër skuadrat më të përforcuara në këtë mini-afat, aktualisht kanë arritur limitin e lojtarëve të huaj në përbërjet e tyre.
Që të dy skuadrat krahas 3 lojtarëve të huaj që i kishin në fillim, i kanë transferuar edhe nga 2 të huaj të tjerë, duke e rritur numrin e basketbollistëve të huaj në 5.
Sipas propozicionit të garave të FBK-së për këtë edicion, ekipet e Superligës kanë të drejtë të regjistrojnë 5 lojtarë të huaj në përbërjen e tyre njëkohësisht, mirëpo në listën paraqitëse në ndeshje duhet t’i paraqesin vetëm 3 lojtarë të huaj.
Këtu nuk përfshihen lojtarët e regjistruar nga Federata Shqiptare e Basketbollit, ku secila skuadër mund ta regjistrojë nga një lojtar të FSHB-së në cilësinë e lojtarit vendor.
Ylli krahas lojtarëve të huaj që i kishte në fillim, Cody John, Griffin Ramme dhe Demetris Morant, së fundi e transferoi edhe amerikanët Mitchell Wilbekin dhe Elyjah Clark, ndërsa basketbollisti nga Shqipëria Frenki Lilaj mbanë statusin e lojtarit vendor.
Në anën tjetër, te Peja aktualisht lojtarë të huaj të regjistruar mbeten Robert Cartwright, Dion Dixon, Marko Perovic, Amel Kuljuhovic dhe Brandon Walters.
Megjithëse disa prej lojtarëve të lartcekur janë spekuluar se janë larguar, deri më tani prej këtyre lojtarëve nuk ka pasur asnjë njoftim për largim nga Ylli apo Peja.
Ndryshe nga këto dy skuadra, skuadrat e tjera të Superligës kanë më së shumti 3 lojtarë të huaj të regjistruar njëkohësisht deri më tani.