GËZIM MORINA
Deklarata e parë e Gëzim Morinës pas transferimit te Ylli
14 January, 2021 @17:22
Skuadra e deritashme e Gëzim Morinës, Helios Suns nga Sllovenia, ka njoftuar për largimin e basketbollistit dhe i ka uruar fat atij në karrierën e mëtejme.
Morina është transferuar te Golden Eagle Ylli, duke u bërë një tjetër transferim bombastik në Suharekë pas atij të Erjon Kastratit.
“Klubi i basketbollit Helios Suns Domzale dhe ish reprezentuesi i Sllovenisë dhe tani reprezentuesi i Kosovës, Gëzim Morina, kanë shkëputur bashkëpunimin me marrëveshje të dy anshme. Morina ka pranuar ofertën nga vendlindja e tij dhe në ditët në vijim do të udhëtojë në qytetin e Suharekës. Urime Gezo!” thuhet ndër tjerash në njoftimin e klubit slloven.
Shiko gjithashtu: Golden Eagle Ylli godet përsëri, sjell edhe Gëzim Morinën
Në anën tjetër, basketbollisti kosovar ka falenderuar klubin duke e quajtur atë si shtëpia e tij e dytë.
“Dua t’i falenderoj të gjithë në klub, drejtuesit e klubit, shtabin teknik dhe të gjithë të tjerët që më bënë të ndjehem gjithmonë sikur të isha në shtëpi. Domzale do të mbetet shtëpia ime e dytë. Ky është një stinor i pazakontë për mua. Që nga problemet shëndetësore me anginë e deri tek coronavirusi, nuk arrita të kthehem plotësisht. Kur pranova ofertën nga vendlindja, nuk u mendova shumë. Ata duan të formojnë një ekip serioz, po përparojnë stinor pas stinori dhe në të njëjtën kohë aty më presin fytyra të njohura për mua. Disi ndjej sikur një fillim i ri, gjë e cila më duhet. Edhe njëherë, i falenderoj të gjithë në Domzale për bashkëpunimin tepër korrekt dhe besoj se rrugët tona do të përputhen përsëri në të ardhmen,” ka thënë Morina.
Për Gëzimin ky është rikthimi i tij i dytë në Kosovë, pas që më parë ka qenë pjesë edhe e Sigal Prishtinës gjatë stinorit 2015-16.