VLLAZNIA - YLLI

Ylli nis me fitore stinorin në Ligën Unike
24 October, 2021 @20:44
Ylli është rikthyer në ndeshje në pjesë të dytë dhe ka arritur fitore në xhiron e parë të Ligës Unike.
Suharekasit kanë mposhtur shkodranët e Vllaznisë sonte në Qazim Dervishi, pas një loje më të mirë të treguar në pjesën e dytë të ndeshjes, kur dolën për herë të parë në epërsi dhe duke e shtuar atë, e çuan deri në fund, për të fituar 67-79 [19-17, 23-20, 9-17 dhe 16-25].
Me këtë ndeshje është mbyllë xhiroja e parë e Ligës Unike që ka nisur këtë vikend.
Te ekipi i Adis Beciragic, më efikasi sonte ka qenë Erjon Kastrati që ka luajtur me 17 pikë e 6 kërcime, ndërsa 16 të tjera ka dhënë Barret Benson që bashkë me 12 kërcime tjera ka kryer ndeshjen me double-double.
Te Vllaznia Jonathan Stove me 19 pikë ka qenë më i dalluari. Ai pos që ka qenë më efikasi i ndeshjes ka bërë edhe 6 asistime e 7 kërcime për ekipin që drejtohet nga malaziasi Nikola Milatovic.