ARSENAL 0-1 LEICESTER
Zëvendësuesi Vardy për fitoren pas 47 viteve si mysafir i Arsenalit
25 October, 2020 @23:10
Jamie Vardy hyri si zëvendësues për të shënuar një gol të bukur për të çuar Leicester Cityn shumë afër kreut, e t’ia jep ekipit fitoren e parë si mysafir të Arsenalit që prej 1973!
Vardy 33-vjeçar që mungoi në dy ndeshje për shkak të një lëndimi, u fut në lojë për të vulosur ndeshjen.
Ish-reprezentuesi anglez ka kërcyer për të realizuar me kokë pasimin e mençur të turkut Cengiz Under, ashtu që të regjistrojë golin e 11-të ndaj Arsenalit në Premier Ligë. Vetëm Wayne Rooney ka shënuar më shumë ndaj Arsenalit, 12.
Derisa Vardy u fut në lojë, Leicester pothuajse s’rrezikoi fare portën e vendasve.
Në anën tjetër ekipi i Mikel Artetas përkundër dominimit me posedim dhe 12 shutave në gol, asnjëherë s’u duk serioz në testimin e portierit të mysafirëve Kasper Schmeichel, për të regjistruar disfatën e parë në shtëpi në vitin 2020.
Granit Xhaka luajti 90min për Arsenalin, ndërsa prej minutës së 49 të ndeshjes në vend të David Luizit u fut Shkodran Mustafi.