ALBION RRAHMANI

Albion Rrahmani, mund të debutojë te kombëtarja e Kosovës në duelet e marsit/ Foto: FFK
Zgjedhja e trajnerit Giresse më ka dhënë motiv!
23 March, 2023 @23:54
Ylli i Superligës së Kosovës dhe i Ballkanit, Albion Rrahmani, në deklaratën e tij dhënë për faqen zyrtare të FFK-së pas stërvitjes së fundit të Kosovës para ndeshjeve të para kualifikuese drejt EURO 2024 ka thënë se është privilegjuar që ka marrë ftesën nga selektori francez i Kosovës, Alain Giresse.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se është privilegj të jetë pjesë e kombëtares, ndërsa vetë përzgjedhja e Giresse për të qenë ai pjesë e Kosovës do të jetë motiv shtesë për të që të vazhdojë me lojëra edhe më të mira në Superligë.
Albion Rrahmani është lojtari i vetëm nga Superliga e Kosovës që ka marrë ftesë nga Giresse për duelet e marsit. Futbollisti i Ballkanit është top-golashsënuesi i Superligës aktualisht me 16 gola të shënuara.
“Është një ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e Kombëtares së Kosovës. Unë këtu jam lindur dhe rritur si futbollist. Shpresoj ta ndihmojë ekipin në objektivat e tij dhe të kualifikohemi në Euro 2024. Izraeli? Besoj në rezultat pozitiv, pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe të gjithë janë në ecuri të mirë në klubet e tyre. Shpresoj ta dëshmojnë këtë edhe në ekipin kombëtar dhe pse jo të arkëtojmë tri pikë atje. Përfaqësues i Superligës në kombëtare? Patjetër është një privilegj. Zgjedhja e trajnerit Alain Giresse më ka dhënë motiv jashtëzakonisht shumë që të vazhdojë me gola në Superligë. Por, fillimisht shpresoj të nxjerrim rezultate pozitive me kombëtaren e pastaj të vazhdojë me përmbushjen e objektivave me klubin”. — ka thënë 22-vjeçari Rrahmani.
Kosova ciklin kualifikues drejt Gjermanisë 2024 e nis si mysafir ndaj Izraelit me të cilët ndeshet më 25 mars në Tel-Aviv, ndërsa e mbyll muajin me ndeshje ndaj Andorrës në Prishtinë.
Siç po transmetohen gjërat aktualisht, ekipi është në disponim të mirë përkundër telasheve që ndodhën me kryetarin e FFK-së, ndërsa po synohen pikët maksimale nga këto dy ndeshje, pasi që grupi ku merr pjesë Kosova po shihet si mundësi e mirë për të arritur në evropianin e parë dhe historik për vendin.