Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE QË AFRON MBIJETESËN

2 Korriku me fitore jetike, Fushë Kosova duhet të pres për Superligë

Foto: 2korriku.com

2 Korriku me fitore jetike, Fushë Kosova duhet të pres për Superligë


Teksti: 2korriku.com

6 May, 2023 @19:29

“Makthit” i erdhi fundi. 2 Korriku më në fund shijoi fitoren, dhe kur, pikërisht në fazën më të nxehtë të kampionatit, aty kur gara është në kulmin e saj.

Agron Beqiri me thjeshtësi e Redon Bejta me mjeshtëri ishin dy golashënuesit e sotëm për skuadrën “verdheblu”, e cila epërsinë prej dy golave e arriti në minutën e 87’të, ndërsa golin e parë e shënoi herët, qysh në minutën e 9’të.

Thënë të drejtën, futbolli i Kosovës sot pati një nga ndeshjet më të luftuara, me dy skuadra kundërshtare që qëllimet i kanë diametralisht të kundërta, por që synimin në ndeshjen e sotme e patën të njëjtë – fitoren.

2 Korriku për t’iu larguar rrezikut në fundin e tabelës, e Fushë Kosova për t’i dhënë vulë inkuadrimit në Superligë ishin qëllimet me të cilat ekipet e drejtuara nga Ademi e Shala u futën në fushën e blertë, mirëpo në fund qëllimit ia arriti ekipi vendës, që me mund të madh triumfoi, për t’i dhënë shtysë vetes në garën e fortë që mesa duket do të jetë deri në fundin e kampionatit për t’i ikur zonës së rrezikshme.

Stadiumi “2 Korriku” sot nuk ishte i “zjarrtë” vetëm brenda fushës, por edhe jashtë tij, me një numër të konsiderueshëm tifozësh, të cilat ia dhanë hijeshinë e vërtetë duelit, që dha shumëçka, duke nisur nga golat, shtylla e futbollistit Camara, kartonët e verdhë e tensioni i madh brenda e jashtë vijave të fushës.

Sido që të jetë, ndonëse me rëndësi të madhe, fitorja e sotme 2 Korrikut nuk i siguron ende asgjë, me “verdheblutë” që fundjavën do ta shfrytëzojnë për festë, e të hënën e javës së ardhshme do t’i rikthehen punës, për të nisur përgatitjet për duelin e radhës, të parafundit për këtë edicion, kundër Ulpianës së vendit të dytë.

Kujtojmë se 2 Korriku tani ka 21 pikë në total, e ndjekur me 19 sosh nga Arbëria e fundit në renditje, që në udhëtim sot nxorri një pikë kundër Ramiz Sadikut.

Viva Fresh LIga e Parë; xhiro XXV

2 Korriku – Fushë Kosova [2:0] (1:0 pas pjesës së parë)

Gjyqtarët: Tefik Maloku, Arton Latifi, Bedri Beshiri

Delegat i ndeshjes: Osman Dragusha

Vëzhgues i gjyqtarëve: Fadil Gashi

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, R. Jashari, A. Salihu, A. Beqiri, M. Hyseni, A. Oruqi /kap./, Y. Prekopuca (R. Arifi 60’), B. Qorri, E. Gashijan (A. Salihu 90’+), I. Hallie (R. Bejta 86’), G. M. Camara. Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Fushë Kosovës: A. Rugji, V. Kutllovci, N. Berisha /kap./ (L. Beqiri 78’), A. Ajdini, F. Gashi, D. Hajdari (E. Neziri 67’), E. Baholli (L. Maloku 46’), B. Fejzullahu (A. Krasniqi 46’), B. Hiseni, R. Haziraj, V. Bllaca (V. Hasani 46’). Kryetrajner: Burim Shala.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë