Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FUSHË KOSOVA - 2 KORRIKU

2 Korriku nxjerr pikë nga pampurat

2 Korriku nxjerr pikë nga pampurat


Teksti: 2korriku.com

17 September, 2022 @18:48

2 Korriku e ka fituar pikën e dytë në këtë kampionat, teksa ka dalur me një barazim nga stadiumi “Ekrem Graiçevci” i Fushë Kosovës.

“Verdheblutë” që në Fushë Kosovë udhëtuan pas katër humbjeve radhazi dhe me vetëm një pikë në pesë xhirotë e para të Viva Fresh Ligës së Parë, gjetën përballë tyre një skuadër të mirë organizuar si ajo e Fushë Kosovës, e cila thënë të drejtën kërkoi diçka më shumë në ndeshjen e xhiros së gjashtë, mirëpo angazhimi i pashoq i futbollistëve të drejtuar nga trajneri Besim Ademi dhe pritjet e jashtëzakonshme të portierit Arnis Ajeti bënë që skuadrat të ndahen me një barazim pa gola dhe jo me ndonjë rezultat tjetër.

Ndonëse pati shumë reshje të shiut gjatë orëve të para të së shtunës, fusha e stadiumit “Ekrem Graiçevci” ishte në gjendje mjaft të mirë, çka edhe iu lejoi futbollistëve që të kenë mundësi të zhvillojnë lojë me pasime të shkurtëra e ta kenë më të lehtë të arrijnë deri tek zonat kundërshtare, apo thënë më mirë tek rastet për gol, meqë gola nuk pati, ani pse rrjeta u tund në pjesën e dytë nga vendësit, por goli i Fejzullahut u anulua si i parregullt shkak i pozitës jashtë loje të sinjalizuar nga gjyqtari anësor Shqiprim Gashi.

Më kërkuese e me më shumë raste si në fraksionin e parë, ashtu edhe në të dytin, ishte skuadra e drejtuar nga Burim Shala, skuadër e cila mundohej të çante përmes mbrojtjes së kryeqytetasve, mirëpo që haste në një vijë të mbrojtjes shumë të organizuar siç ishte sot ajo e “verdhebluve”, që bashkë me portierin Ajeti, sot ishin në krye të detyrës, me këtë të fundit i cili thënë të drejtën po të kishte çmim për më të mirin e ndeshjes, pa dyshim se do ta fitonte.

Pos dominimit e rrezikut që vinte kryesisht nga goditjet nga këndi prej skuadrës vendëse, në skenë herë pas here dilte edhe skuadra e 2 Korrikut, skuadër që shumë lehtë ka mundur edhe të dalë me pikë të plota nga ballafaqimi i së shtunës, sidomos kur kujtohen rastet e Bllacës (45+’) e rastet në fundin e ndeshjes, kur futbollistët nuk e patën vëmendjen e duhur që ta ndëshkojnë portierin Rugji, i cili shumicën e kohës qëndronte jashtë portës së tij, e i cili me lehtësinë më të madhe do të mund të ishte ndëshkuar, sikur Bejta, Zeqiri e Jashari do ta shikonin me më shumë vëmendje pozitën e tij e të godisnin drejt portës së vendësve.

Sido që të jetë, barazimi mund të thuhet se ka qenë epilogu real i ndeshjes shumë të luftuar mes skuadrës nga Fushë Kosova e 2 Korrikut nga Prishtina, ani pse të dyja ekipet e deshën goxha shumë fitoren, për vet arsyen se një tre pikësh sot do të nënkuptonte shkuarje me kokë shumë më të qetë në pushimin e ndeshjeve të kombëtareve që nis këtë të hënë e mbaron të premten e 30 Shtatorit.

Vlen të përmendet se për 2 Korrikun është rikthyer të luaj mbrojtësi Agron Beqiri, i rikthyer këtë verë në klubin nga Arbëria, i cili sot mori minutat e parë në këtë edicion e pati paraqitje solide në afro pesëmbëdhjetë minuta sa luajti, për çka u shpreh i kënaqur dhe potencoi se ka ende vend për përmirësim.

Me mbylljen e kësaj xhiroje, Viva Fresh Liga e Parë shkon në pushim, ndërsa pas pushimit 2 Korriku do ta rinis kampionatin si vendës, me ndeshje përballë rivalit lokal, Flamurtarit.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Gjashtë

Fushë Kosova – 2 Korriku 0:0 (0:0 pas pjesës së parë)

Gjyqtarët: Kujtim Krasniqi, Visar Kupina, Shqiprim Gashi

Delegat i ndeshjes: Enver Duriqi

Vëzhgues i gjyqtarëve: Driton Preniqi

Formacioni startues i Fushë Kosovës: A. Rugji, V. Kutllovci (B. Podvorica 81’), N. Berisha (kap.), L. Beqiri, L. Breznica (F. Gashi 61’), A. Krasniqi, B. Fejzullahu, V. Hasani (D. Hajdari 81’), L. Maloku (B. Hiseni 61’), D. Effa (E. Neziri 89’), R. Haziraj. Kryetrajner: Burim Shala.

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, R. Jashari, Y. Prekopuca, A. Shahini, V. Ibrahimi, A. Oruqi (kap.) (L. Zeqiri 89’), A. Bllaca, Sh. Aliti (R. Bejta 89’), G. Latifi (B. Shala 72’), L. Jetullahu, P. Osmani (A. Beqiri 78’). Kryetrajner: Besim Ademi.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë