Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SECILA PJESË, ME GOLA

2 Korriku rikthehet për t’ia mohuar fitoren liderit

Fotot: 2korriku.com

2 Korriku rikthehet për t’ia mohuar fitoren liderit


Teksti: 2korriku.com

18 February, 2023 @20:55

Pritjes vërtetë i erdhi fundi; gjyqtari këtë fundjavë fishkëlleu dhe skuadrat e rangut të dytë të garave në futbollin e Kosovës iu rikthyen atyre që i duan më së shumti- ndeshjeve zyrtare.

Në praninë e mbi njëqind shikuesve, dy skuadrat nga regjioni i Prishtinës, 2 Korriku e Fushë Kosova, dhuruan ndeshjen që çdo shikues do ta kishte për dëshirë për hapje të kampionatit. Katër gola, penallti, kartonë, raste të panumërta e gol të anuluar kishte dueli që në fund u mbyll pa fitues, me skuadrat që iu takoi nga një pjesë, mirëpo asnjëra nuk u tregua më e mirë se tjetra dhe në fund epilogu doli të jetë më i sakti për të dyja palët.

2 Korriku që vjeshtën e nisi nga një pozitë e palakmueshme, i bëri “konak” skuadrës kampione të vjeshtës, Fushë Kosovës. Ani pse me hiq më pak se njëzet pikë diferencë mes vete, “verdheblutë” kryeqytetas treguan se kanë mundësi t’i bëjnë ballë çdo skuadre, e më e rëndësishmja, dhanë sinjale se dinë të ringrihen edhe atëherë kur shpresat zbehen në minimum.

Futbollistët sot, përpos emocioneve të dhuruara gjatë lojës, dhanë edhe një mesazh të jashtëzakonshëm para fillimit të ndeshjes. Duke mbajtur një pankartë ngushëllues në duar në drejtim të popullit turk e me një minutë heshtje, futbollistët, zyrtarët e të dyja klubeve dhe gjyqtarët dhanë mesazhin e fuqishëm solidarizues për të çdo njeri të prekur nga tragjeditë në Siri e Turqi.

Pas veprimit fantastik solidarizues, gjyqtari dha shenjë që spektakli në fushë të fillojë dhe vëmendja të jetë totalisht tek futbollisët dhe asgjë tjetër.

Ndeshja nisi me një qetësi të të dyja skuadrave, që fillimisht zgjodhën ta testojnë njëra-tjetrën se kush do ta marrë iniciativën. Të parët që rrezikuan ishin vendësit nëpërmjet sulmuesit shtatlartë, Miftar Avdiut, i cili topin e kthyer me kokë nga mbrojtësi me përvojë i mysafirëve, Beqiri, tentoi ta dërgoi në rrjetë, mirëpo goditja e tij përfundoi lart portës.

Goditja e Avdiut sikur e “goditi” Fushë Kosovën dhe e zgjoi. Luhej minuta e 18-të kur futbollistët e udhëhequr nga kryetrajneri Shala fituan një top dhe shpejt kaluan në fazën e sulmit, atje ku sulmuesi Neziri dështoi të shënoi me kokë, ani pse u asistua për mrekulli nga Hiseni.

Huqja e Nezirit sikur paralajmëroi se Fushë Kosova kishte nisur të sulmonte dhe se goli do të vinte herët apo vonë. Kështu edhe ndodhi. Në një rast ku u dyshua shumë për pozitë jashtë loje në dy raste, mesfushori Fejzullahi i Fushë Kosovës arriti që me lehtësi të realizoi për 0:1 pas topit të marrë nga sulmuesi Haziraj. Teksa “Pampurat” festonin, futbollistët “verdheblu” kërkonin sqarime nga gjyqtarët, mirëpo me kaq u mbyll ky rast dhe goli qëndroi.

2 Korriku vs. Ulpiana

Epërsia prej një goli u duk sikur nuk i mjaftoi skuadrës kampione të vjeshtës, që u hodh sërish përpara e rrezikoi, tanimë me vet Hisenin, që kaloi portierin Ajeti e gjuajti, mirëpo jashtë kuadratit të portës.

Atë që nuk e arriti Hiseni, e arriti një nga sulmuesit më të mirë në kampionat, Haziraj. Topin që nuk arriti ta kontrolloi portieri Ajeti, për ta çuar në rrjetë u përkujdes Haziraj, gol ky që ndoshta edhe bëri shumë kë që të mendoi se ndeshja mori fund, ani pse kishte edhe afro gjashtëdhjetë minuta tjerë për t’u luajtur.

Për të treguar se nuk janë dorëzuar, të besuarit e Besim Ademit u munduan që nga pjesa e parë ta nxjerrin së paku një gol nderi; harkim-goditja e Jasharit (37’) dhe goditja nga gjuajtja e lirë e Bajramit (40’) nuk e befasuan Rugjin dhe fraksioni i parë u mbyll me epërsi prej dy golave, duke ua pamundësuar golin e shumëkërkuar vendësve.

Pjesa e dytë tregoi krejt diçka tjetër për nga loja; 2 Korriku nuk priti, u hodh shpejt në aksion; një top i gjatë në drejtim të Osmanit që u zhvendos në krahun e djathtë të mbrojtjes, e gjeti atë në zonën e kundërshtarit, ku u pengua nga ish-i i 2 Korrikut, Ardi Ajdini, dhe fitoi penallti, me një vendim shumë diskutabil të gjyqtarit Rama dhe me shumë protesta të mysafirëve. Sidoqoftë, vendimi qëndroi; topin për të goditur e mori Bajrami, i cili e dërgoi atë në të kundërtën anë nga ajo në të cilën u hodh portieri Rugji.

Epërsia u ngushtua, 2 Korriku dërgoi një sinjal tjetër, por kësaj radhe jo edhe aq të rrezikshëm. Ishte mesfushori Bllaca që mori përsipër të godasë, por gjuajtja e tij përfundoi lart mbi portë.

Goli i barazimit tash dukej sikur sa afrohej; më i miri i ndeshjes së sotme, Flamur Bajrami, nuk u dorëzua dhe fitoi sërish një top nga mysafirët, këmbënguli në zonën kundërshtare dhe gjeti për mrekulli Granit Latifin, i cili pa mbushur as edhe një minutë në fushë, realizoi me goditje të fuqishme dhe çoi shifrat në 2:2. Gëzim i madh për “verdheblutë”.

Hovi i skuadrës nga Arbëria nuk u ndal, me Bajramin që shënoi përsëri, por që ishte shënim i pavlefshëm, me topin që kishte dalur nga loja sekonda më parë.

Ani pse nuk shënoi gol të vlefshëm, ishte pikërisht Bajrami që shumë lehtë 2 Korrikut mund të ia jepte tri pikë sot, vetëm sikur “gardiani” Rugji të mos ishte në formën e tij më të mirë e të mos i ndalte dy goditjet mjeshtërore të tij në minutat 70’ dhe 83’.

Kur të gjithë menduan se ndeshja përfundoi, rendi ishte që për të fundit herë të rrezikonte edhe Fushë Kosova, e cila përmes Hajdarit kërkoi portën e golin, por futbollisti nuk u tregua i saktë dhe kështu erdhi vërshëllima e fundit e gjyqtarit kryesor, që me rezultatin baraz i dërgoi skuadrat në zhveshtore.

2 Korriku tani kalon në dymbëdhjetë pikë dhe fokusi zhvendoset tek derbi lokal me skuadrën e Flamurtarit, që zhvillohet në vikendin e ardhshëm në po të njëjtin orar sikurse u zhvillua ndeshja e sotme.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Pesëmbëdhjetë

2 Korriku – Fushë Kosova [2:2] (0:2 pas pjesës së parë)

Golashënues: Flamur Bajrami (pen. 50’), Granit Latifi (67’) – Burim Fejzullahu (22’), Rilind Haziraj (33’)

Gjyqtarët: Petrit Rama, Liridon Selmani, Shqipërim Lladrovci

Delegat i ndeshjes: Shemsedin Abazi

Vëzhgues i gjyqtarëve: Musa Gashi

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, P. Osmani, A. Salihu, A. Beqiri, P. Osmani, A. Oruqi (kap.)(Y. Prekopuca 66’), B. Qorri (I. Lebbie 17’), A. Bllaca, G. M. Camara (A. Salihu 90’+), M. Avdiu (G. Latifi (66’), F. Bajrami. Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Ulpianës: A. Rugji, V. Kutllovci, L. Beqiri (kap.), A. Ajdini, L. Breznica, B. Fejzullahi (D. Hajdari 73’), V. Hasani, A. Krasniqi (V. Pllana 85’), E. Neziri (A. Hyseni 73’), B. Hiseni (B. Podvorica 85’), R. Haziraj. Kryetrajner: Burim Shala.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë