SHQIP NË BOTË
4 futbollistë shqiptarë në 11-shet më të mira të javës
6 April, 2021 @20:12
Fundjava që e lëmë kaloi pozitivisht për disa futbollistë kosovarë që luajnë në ligat e ndryshme evropiane.
Paraqitje kulminante kanë pasur katërshja Leart Paqarada, Bernard Berisha, Fidan Aliti dhe Loret Sadiku, të cilët janë zgjedhur në 11-shet e javës në ligat ku luajnë, nga faqja e njohur SofaScore.
LEART PAQARADA (St. Pauli)
Mbrojtësi i krahut të majtë tregoi paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen e parë të tij pasi njoftoi largimin nga përfaqësuesja e Kosovës. Paqarada ishte më i dalluari te skuadra e tij, St. Pauli, në fitoren 2-0 ndaj Eintracht Braunschweig. Paraqitja e tij u vlerësua me notën më të lartë në këtë ndeshje 8.1, duke e renditur atë në mesin e më të mirëve të javës në Bundesliga 2.
BERNARD BERISHA (Akhmat Grozny)
Bernard Berisha ishte golashënues i dyfishtë për skuadrën e tij, Akhmat Grozny, e cila e mposhti me rezultat të thellë, 5-0, skuadrën ruse Krasnodar. Berisha në këtë ndeshje u inkuadrua si rezervist në minutën 37’ ndërsa në fund u vlerësua me notën 8.1. Ky vlerësim atij i bëri vend në mesin e më të mirëve të javës në kampionatin rus.
FIDAN ALITI (Zurich)
Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës pati një tjetër paraqitje solide me skuadrën e tij, Zurich. Aliti u notua me notën 7.6 në ndeshjen kundër St.Gallenit të Betim Fazlijit, që përfundoi me rezultat të barabartë 1-1. Paraqitja e tij u vlerësua si ndër më të mirat e javës, duke bërë që të rreshtohet në krahun e majtë të mbrojtjes së formacionit të javës në kampionatin zviceran.
LORET SADIKU (Kasimpasa)
Bashkëlojtari i Florent Hadërgjonajt në Kasimpasa, Loret Sadiku, u vlerësua si më meritori në fitoren me rezultat minimal 1-0 të skuadrës së tij ndaj liderit Besiktas. Sadiku mori notën 7.7 dhe u përfshi në mesin e më të mirëve të javës në Superligën e Turqisë.