DALIN NGA ZONA E RREZIKUT

Foto: KFTrepca89/ fb
89’shi i kthehet fitores, mposht Drenicën jashtë
8 March, 2023 @15:27
Drenica ka pësuar sot në duel ndaj rivalit direkt për mbijetesë, Trepça’89 dhe kështu i është kthyer fundit të renditjes tabelare! Mitrovicasit kanë qenë shumë të angazhuar dhe kanë vënë presion të madh te vendasit, pas golit të shpejt të pranuar në fillim të ndeshjes, për tu rikthyer krejtësisht në pjesë të dytë me një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, të cilën e shënoi Rilind Nimani dhe i dha fitoren ekipit të Shpëtim Idrizit.
Fillimisht ka qenë braziliani Da Silva që i dha epërsinë kuqezinjëve nga Skenderaj, ndërsa ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli nuk ka arritur të bëj më shumë në pjesën e mbetur të ndeshjes, derisa ‘89-shi ka gjetur golat për të fituar ndeshjen dhe për të dalë nga dueli me tri pikë, për përfundimtaren: Drenica 1-2 Trepça ‘89 [Diogo Armando Lopes da Silva - Maranhao 7’ - Shkëlzen Lushtaku 32ag., Rilind Namani 57].
Drenica mbyll xhiron XXIV në fund të tabelës, me 23 pikë nga 24 ndeshje, ndërsa ka pësuar për herë të 13 këtë stinor. Në xhiron e radhës udhëtojnë në Klinë për tu ndeshur me Dukagjinin. Trepça’89 në anën tjetër në xhiron e radhës pret Ferizajin në formë, ndërsa dueli tjetër direkt i mbijetesës do ta gjejë ekipin mitrovicas me 26 pikë nga 24 ndeshje në pozitën e shtatë.