ARBËRIA - TREPÇA '89
Adenis Shala për fitore, ‘89-shi mposhtë Arbërinë
9 April, 2021 @17:04
Në ndeshjen e parë të xhiros në Superligë, Trepça ‘89 ka shënuar fitore në udhëtim te Arbëria.
Takimi u mbyll me fitore 0-1 (Adenis Shala 8’) të mitrovicasve, për të cilët tri pikët e fituara sot janë shumë të vlefshme.
Ndonëse loja u zhvillua kryesisht në gjysmëfushën e Trepçës ‘89, me Arbërinë që kishte posedimin, ishte skuadra mitrovicase ajo që rrezikonte më tepër përmes kundërsulmeve.
E goli i fitores erdhi në minutën e 8’, kur anësori këmbëshpejt, Adenis Shala, shënoi pas asistimit nga Arbnor Muja. Pikërisht Shala, e tundi edhe një herë rrjetën vendase në minutën e 67’, por goli i tij u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Sa i përket vendasve, ata rastin më të mirë e patën në minutën e 76’, por për fatin e keq të tyre, Marclei Santos gaboi nga pika e bardhë dhe ia pamundësoi skuadrës së tij barazimin e rezultatit, për t’u pajtuar kështu me humbjen e 15 sezonale.
Kjo fitore bën që Trepça ‘89 ta bëjë një hap gjigand drejt qëndrimit në elitë të paktën edhe për një sezon, kurse Arbëria, që këtë sezon ka vuajtur shumë duke mos pasur terren të vetin ku t’i luajë ndeshjet si vendas, rrezikon seriozisht rënien në Ligën e Parë.