NGA FEDERATA
Afat kalimtar vetëm për Ligën e Parë
8 September, 2021 @16:31
Federata e Basketbollit të Kosovës pas mbledhjes së Bordit të saj ka bërë të ditur se ka marrë vendim për një afat kalimtar të jashtëzakonshëm për tu regjistruar basketbollistët në Ligën e Parë.
Ky afat kalimtar vlen vetëm për lojtarët që kanë mbetur pa angazhman.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendim që të hap një mini-afat kalimtar (të jashtëzakonshëm) për lojtarët vendorë që kanë mbetur pa angazhman për në Ligën e Parë të Meshkujve. Ky afat vlen vetëm për lojtarët të cilët janë pa angazhim dhe vlen për tu transferuar në Ligën e Parë të Meshkujve dhe në asnjë ligë tjetër,” ka bërë të ditur njoftimi i lëshuar nga Federata.
Afati për klubet e interesuara është tre ditë, ndërsa vlen prej 8 deri më 10 shtator.
“Ky mini-afat do të zgjas prej 8 deri më 10 Shtator 2021. Të gjitha klubet e interesuara mund t’i regjistrojnë lojtarët deri të premten (10 Shtator),” ka sqaruar FBK.
Këtë sezon në Ligë të Parë të Kosovës në basketboll do të bëjnë pjesë: Borea, Feronikeli, AS Prishtina, Prishtina e re, Vushtrria, Dardanët, Istogu, MH Prishtina, Vëllaznimi dhe New Basket.
Favorit për të kaluar në elitën e basketbollit që tash është duke u parë Vëllaznimi, ndërsa pas tyre llogaritë për Superligë po i bën New Basket.