Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AVENTURË E RE PËR ZEKËN

Agim Zeka sulmues i ri i Drenicës!

Agim Zeka sulmues i ri i Drenicës!


3 September, 2022 @0:19

U fol shumë për këtë lojtar në të kaluarën, por ai assesi nuk arriti të stabilizohet në skuadrat ku ishte dhe tashmë, u bë lojtar i ri i Drenicës.

Futbollisti i Kosovës, Agim Zeka, tash 23-vjeçar është anëtar i ri i kuqezinjëve nga Skenderaji, të cilët e zyrtarizuan sonte lojtarin në ekip.

“Agim Zeka mirë se erdhe në familjen kuq e zi. Kemi kënaqësinë t’ju prezentojmë ardhjen e lojtarit Agim Zeka, futbollist që mbi supet e tij ka përvojë ndërkombëtare. Suksesi kërkon përkushtim,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i Drenicës, gjatë zyrtarizimit të lojtarit, që shihet i lumtur me fanellën e ekipit të tij të ri.

Përndryshe Zeka, ishte një lojtar prej të cilit pritej shpërthim i madh në moshë pak më të re, por kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Ai bëri një hap të madh kur kaloi te Lille B, por s’u tregua as aty, për të kaluar te Mouscroni belg e Austria e Vjenës.

Më pas u provua edhe te Drita e Prishtina në Superligë, por as aty nuk gjeti stabilitet.

Tash rasti tjetër për shpërthim do të jetë nën urdhërat e Bekim Shotanit te Drenica, ndërsa skuadra pret që ai të ndihmojë bashkëlojtarët në krah të sulmit dhe sulm, ku e ka pozitën.

Drenica përndryshe këtë stinor në katër xhirot e para ka kapur katër pikë, duke shënuar një fitore një barazim dhe dy disfata. Ekipi deri tash ka shënuar dy gola, ndërsa me Zekën pritet që të shtohen ato për ndeshjet e radhës.

Drenica pret Ferizajin në përballjen e xhiros së pestë të Superligës, në duelin që luhet të dielën me fillim prej orës 15:00.


 
Të gjitha lajmet nga