PAS EMISIONIT

AGK reagon ndaj fjalorit të Batatinës, kërkon masa nga FFK-ja
12 April, 2021 @14:18
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar në gjuhën e përdorur të trajnerit të Llapit Tahir Batatina ndaj gazetares së RTK-së Qëndresa Krelani.
Batatina kishte përdorur një gjuhë seksiste në drejtim të gazetares në emisionin e sportit të KTV-së mbrëmë, ndërsa reagimi i AGK-së, është si mëposhtë, ndërsa ka kërkuar që edhe FFK të ndërmerr masa ndaj trajnerit në fjalë.
KOMUNIKATA E AGK-së:
AGK: FFK të merr masa ndaj gjuhës seksiste të Tahir Batatinës në drejtim të gazetares Qendresa Krelani
PRISHTINË, 12.04.2021- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, shprehet tejet i shqetësuar me gjuhën seksiste dhe fyese të trajnerit të futbollit, Tahir Batatina, në drejtim të gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani.
Batatina gjatë një emisioni televiziv i është drejtuar gazetares me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”
Gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme. Për AGK-në, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato.
AGK-ja gjithashtu kërkon nga Federata e Futbollit e Kosovës - FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë.