Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARA FINALES

“Air Albania”, Tirana dhe Roma-Feyenoord

“Air Albania”, Tirana dhe Roma-Feyenoord


25 May, 2022 @0:07

Marco Casamonti, një emër pak i njohur këndej dhe aq më pak interesant kur gjithçka po bëhej gati - në letër.

Casamonti, arkitekt italian kishte projektuar atë që nisi me emërtimin “Arena Kombëtare” dhe që do të përfundonte me emrin e sponsorit “Air Albania”.


STADIUMI

Stadiumi modern me kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve, që i kushtoi Federatës Shqiptare të Futbollit, Republikës së Shqipërisë dhe UEFA-së, rreth 85 milionë euro.

E ajo u ndërtua nën atë që dikur bartte lojërat më të rëndësishme të kombëtares shqiptare të futbollit, “Qemal Stafa”.

E lëshuar në funksion më 17 nëntor të vitit 2019, kuqezinjtë e testuan në ndeshje zyrtare ndaj Francës këtë stadium, ndërsa vetëm tri vite më vonë - aty luhet ndeshja më e madhe në histori të shtetit dhe futbollit shqiptar - finalja e garës së re të UEFA-së, e para - Liga e Konferencës - ku ndeshen finalistët e parë të kësaj gare, Roma italiane dhe Feyenoordi i Roterdamit holandez.

Në njërën anë trajneri ndër më të njohurit dhe më karizmatikët e dekadave të fundit të futbollit evropian me nam botëror, Jose Mourinho dhe në anën tjetër Arne Slot, i panjohur për nivelin e portugezit, por mjaft punëtor - që e dëshmon edhe ekipi i tij që ka arritur prej kualifikimeve e deri në ndeshjen e fundit të garës, në finale.


DITË PUSHIMI

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë pret finalen e parë evropiane të UEFA-së, ndërsa shteti shqiptar e shpalli ditë zyrtare pushimi këtë vit 25 majin, pikërisht për shkak të kësaj finaleje.

Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 317 të datës 18 maj 2022 thotë: “Dita e mërkurë, datë 25 maj 2022, është ditë pushimi!” - për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, të institucioneve në qendër të Tiranës, me përjashtim të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, bashkë me shërbimin zjarrfikës dhe ata të sistemit shëndetësor.

Roma, që nuk ka fituar trofe të UEFA-së - e nisi misionin në një garë të re, krejtësisht të panjohur, ndaj kampionit të tashëm të Turqisë, Trabzonspor.

I eliminoi kundërshtarët në grup dhe arriti në finale pas ndeshjeve të vështira ndaj Bodos norvegjeze dhe Leicesterit anglez.

Feyenoordi në anën tjetër, ka pasur rrugëtim edhe më të gjatë. Ata e nisën ndaj Dritës së Gjilanit rrugëtimin në fazë kualifikuese të cilën e kaluan menzi. Dhe atë, shumë lehtë do të mund të mos ishin pjesë e garës, po qe se gjilanasit do të kishin pak më shumë përvojë në gara ndërkombëtare në ndeshjen e zhvilluar në Roterdam.

Sidoqoftë, holandezët morën veten dhe me vetëm një humbje deri tash, duke eliminuar Slavian e Pragës dhe Olympique të Marsejës në rrugëtim - arritën finalen e garës.

Feyenoord ka dy Kupa të UEFA-së të fituara nga dy finale të arritura - dhe kjo është një plus për ekipin e Slotit. Të parën në 1974, të dytën në 2002.


GJYQTARI KRYESOR, 11-shet POTENCIALE

Rumuni Istvan Kovacs do të jetë kryesori nga referët e finales, ndërsa gjermanët do të jenë në dhomën VAR, me kryesorin aty Marco Fritz.

Të martën të dyja ekipet arritën në Tiranë, ndërsa festa veçse filloi që prej Sheshit Skënderbej e deri në skutat e kryeqytetit, ku mëtohet të jenë rreth 100 mijë mysafirë, adhurues të ekipeve në fjalë, me e pa bileta - vetëm e vetëm për të përjetuar atmosferën para - e pse jo edhe pas triumfit.

11-shet potenciale startuese:

Roma: Rui Patrício; Mancini, Smalling, Ibañez; Karsdorp, Cristante, Sérgio Oliveira, Pellegrini, Zalewski; Zaniolo, Abraham.

Feyenoord: Bijlow; Geertruida, Trauner, Senesi, Malacia; Aursnes, Til, Nelson, Kökçü; Sinisterra, Dessers.

Nga kampet e skuadrave:

“Nuk besoj në magji, nuk ka asgjë speciale që mund të ndodhë, ne vetëm duhet të jemi ekip. Duke i ditur cilësitë, por duke i ditur edhe kufizimet. Për mua, pa marrë parasysh si përfundon finalja, stinori është pozitiv,” - ka thënë Mourinho para ndeshjes.

“E dimë mirë çka mund të presim nga ata, por shpeshherë trajnerët ndërrojnë idetë. Kemi parë mjaft dhe besojmë që jemi të gatshëm. Nëse provojnë të na befasojnë, s’besoj që do të futemi në kurth, pasi që kemi luajtur 55 ndeshje këtë stinor dhe jemi të gatshëm për secilin plan,” - ka thënë Slot para ndeshjes.

Në faqen zyrtare të UEFA-së, tifozët kanë votuar deri më nisjen e 25 majit, 60% triumfon Roma, ndërsa 40% triumfon Feyenoordi.

Ndeshja nis në 21:00 të mërkurën e 25 majit.

 


 
Të gjitha lajmet nga Conference League