GARDIAN I RI TE KAMPIONI
Andrea Hoxha, portier i ri i Ballkanit
10 June, 2023 @19:27
Kampioni i dyfishtë i Kosovës, Ballkani, ka bërë të ditur mbrëmë se ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me portierin shqiptar të lindur në Itali, Andrea Hoxha.
Gardiani 23-vjeçar që deri tash ka qenë pjesë e ligës rajonale gjermane ku ka mbrojtur portën e Phönix Lübeck, tash e tutje si pjesë e kampionit të Kosovës do të merr pjesë në kualifikime për Ligë të Kampionëve këtë verë, ndërsa pritet të shihet se a do të bëhet menjëherë portieri i parë dhe se a do të qëndrojë edhe më tej në ekip, Stivi Frashëri, që mbronte deri tash suksesshëm portën e kampionëve.
“Futboll Klub Ballkani ka kënaqësinë të njoftojë se portieri Andrea Hoxha është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. Klubi ynë ka arritur ditën e sotme një marrëveshje 2 vjeçare me portierin, i cili vjen te Ballkani nga Phoenix Lubeck ekip i cili garon në Regional Liga - Gjermani. Klubi i Ballkanit i uron mirëseardhje portierit shtatlartë dhe shumë suksese me fanellën e klubit tonë.” — ka shkruar Ballkani në njoftim për ardhjen e portierit 187 centimetra të gjatë në ekip.