eUropa
Anti-gjermanët
Shkruan: Luan MORINA
15 March, 2016 @11:55
City - Kiev
Një ekip më serioz se Dinamo e Kievit, një ekip me lojtarë me pak më shumë përvojë në garat ndërkombëtare do të mund të befasonte Cityn në ‘Etihad’. Ekipi i Pellegrinit nuk është në formën e janarit që nga emërimi i Guardiolës, por Champions është e vetmja garë ku mund të fitojnë ndonjë trofe pas Carling Cup. Mungesa e Toures dhe De Bruyne po janë problem, por edhe pa këta dy City do të kaloj Dinamon.
Barcelona - Arsenal
Ekip serioz nuk është as Arsenali. ‘Topçinjtë’ janë në rënie të lirë që nga fillimi i shkurtit dhe rend po bien nga çdo garë në të cilën janë prezent. Humbje nga ekipe shumë më inferiore po shkatërrojnë atë pak vetëbesim që ka ky ekip. Dhe me një vetëbesim me të cilin nuk mund të mposhtësh as Swansea Cityn e as Watfordin me ekip të dytë, nuk mund të presësh të shkrish një epërsi prej dy golave ndaj njërit nga ekipet më të mira në Evropë këtë vit.
Atletico - PSV
PSV nuk është pa shanse. Në fakt ka shanë shumë më të mira se Atletico në rast se dinë të ekzekutojnë siç duhet në kundërsulme. Atletico ka probleme në konkretizimin e rasteve. Janë pa sulmues klasik dhe Griezzman nuk merr gjithnjë ndihmën e mjaftueshme nga mesfusha duke mbetur i ngujuar në mes të mbrojtjes dhe mesfushës defenzive të kundërshtarëve. Ndeshja nis nga fillimi, nga zero, pos që holandezët kanë epërsinë e çdo goli të shënuar. Vetëm se duhet të shënojnë.
Bayern - Juventus
Bayerni ka lëshuar çerekfinalen nga duart në Torino. Dhe fakti që Juventus ktheu rezultatin është arsye e mjaftueshme për panik tek gjermanët. Për mua janë ekipi më favorit për të fituar titullin këtë vit, por Juventus dhe italianët në përgjithësi din të mposhtin gjermanët jashtë e brenda. Juventus kishte kaluar rrethin edhe ndaj Dortmundit vitin e kaluar me një lojë anti-gjermane, tepër defenzive. Mund ta bëj përsëri, edhe pse Bayerni është botë tjetër.
Tottenham - Dortmund
Vetëm Bayerni që i ka dhënë pesë gola Dortmundit këtë sezon. Në ligë tre gola, sa i duhen Spurs, i ka dhënë Hamburg, dhe në Evropë, në ndeshjen pa ndonjë rëndësi të veçantë, tre gola ndaj ‘milionerëve’ i kanë shënuar Odd, të cilët në fund kanë humbur 4-3. Pra, në letër, misioni i Tottenham nuk është i pamundur, por larg realizimit. Qartazi anglezët janë të përqendruar në Premier League dhe nuk do të duhej të mërziteshin për të kthyer një disavantazh kaq të lartë.
Man United - Liverpool
Për dallim nga Spurs, edhe Liverpool edhe United kanë qëllim të arrijnë Ligën e Kampionëve me anë të Europa League. Asnjëra nuk ka ekip që do të mund të rivalizonte Dortmundin, spanjollët, apo edhe vet Shakhtarin. Por, derbi dhe urrejtja ndërmjet këtyre dy ekipeve mjafton për të sjell një lojë të shkëlqyeshme, edhe më të mirë se e para.
Të tjerët
Shakhtar veçse është në rrethin e ardhshëm, e njëjta duhet të vlej edhe për Sevillan. Fenerbahçe nuk mund ta ketë lehtë në Braga, Bilbaon e shoh si favorit karshi Valencisë së Neville, derisa nuk do të përjashtoja nga gara akoma Spartën e Pragës.