SHQIP NË BOTË
Asnjë minutë për shqiptarët në Turqi
6 November, 2016 @20:27
Kjo fundjavë ka qenë e zbehtë për futbollistët shqiptarë në Turqi.
Në duelin ndërmjet Konyasporit të Alban Mehës dhe Kasimpasas të Herolind Shalës e Loret Sadikut, asnjëri nga ta nuk arriti të luajë as për një minutë të vetme.
Meha dhe Shala ishin në bankën rezervë dhe nuk i’u dha rasti asnjërit për t’u futur në lojë nga trajnerët e tyre përkatës, Aykut Kocaman dhe Kemal Ozdes, derisa Loret Sadiku nuk ishte në përbërje për shkak se ende nuk është i gatshëm plotësisht për shkak të lëndimit që e kishte, megjithëse që nga fillimi i javës kishte filluar stërvitjet me skuadrën e tij.
Kjo ndeshje përfundoi me fitoren e Konyasporit të Mehës me rezultat 2-1.
Fati i njëjtë edhe këtë javë e ka përcjellur sulmuesin kuqezi, Sokol Çikalleshin, i cili është harruar krejtësisht nga skuadra e tij që po kryeson në Superligën turke, Basaksehir, pasi që nuk është përfshirë fare në formacion këtë javë në ndeshjen kundër Galatasarayit, sikurse edhe në ndeshjet e tjera të fundit.
Çikalleshi për herë të fundit ka luajtur më 24 shtator për Basaksehirin në Superligën turke.