ALAIN GIRESSE

Foto: FFK
Asnjë trajner nuk mendon humbjen
Teksti: FFK
26 September, 2022 @19:34
Kombëtarja e Kosovës synon fitoren në ndeshjen e nesërme kundër Qipros, e cila zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në orën 20:45.
Fitorja do t’ia mundësonte Dardanëve ta mbajnë pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, teksa me barazim nuk do të rrezikonte rënien në Ligën D. Përzgjedhësi Alain Giresse në konferencën për media ka thënë se objektivi i vetëm në këtë ndeshje është fitorja.
“Nesër kemi ndeshjen e radhës. Synimi ynë është fitorja. Portieri Arijanet Muric e ka lënduar nyjën e këmbës në Belfast dhe nuk jam i sigurt nëse do të jetë i gatshëm për lojë. Po ashtu, në dyshim mbetet edhe Amir Rrahmani edhe pse ai është përmirësuar dukshëm”, ka theksuar Giresse.
Trajneri francez ka thënë se është i fokusuar te fitorja dhe nuk mendon në aspektin negativ.
“Sa i përket përvojës sime te Kosova, deri më tani jam i kënaqur me kushtet e punës që janë shumë të mira. Synimi im është të përparojmë dhe të ngrihemi në nivel tjetër, por edhe të sjellim lojtarë të rinj. Kur e përgatisim një ndeshje, e përgatisim për ta fituar, sepse askush nuk dëshiron humbje. A po mendoni që shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre? Fillimisht asnjë trajner nuk mendon ta humbë ndeshjen”, ka shtuar Giresse.
Pas konferencës, Dardanët e kanë mbajtur stërvitjen e fundit, ku Amir Rrahmani ka qenë aktiv gjatë tërë kohës, derisa Arijanet Muric ka pushuar me qëllim të rikuperimit nga lëndimi.