Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/4: ATALANTA - PSG

Atalanta dorëzohet në fund, Parisi në gjysmëfinale

Atalanta dorëzohet në fund, Parisi në gjysmëfinale


12 August, 2020 @22:54

Me një ndeshje të mrekullueshme ka filluar faza çerekfinale e këtij sezoni të Champions League.

Atalanta dhe PSG zhvilluan mes tyre një ndeshje mjaft të mirë, e në fund fitores iu gëzuan francezët, që përmbysën gjithçka në fund dhe fituan 1-2,

Ndeshja filloi me një rast të shpërdoruar çuditërisht nga Neymar, lojtar ky që shpërdoroi edhe një tjetër më vonë, por që në përgjithësi ishte më i miri i Parisit sonte. Përveç treshes startuese në mesfushë që luajti dobët te Parisi sonte, paraqitje të dobët zhvilloi edhe Mauro Icardi.

Rastet e shpërdoruara të Parisit në njërin cep, ia dhanë mundësinë Atalantës që të kalojë në epërsi në cepin tjetër. Ishte Pasalic që në minutën e 27’ me një supergol ia dha epërsinë italianëve.

Që nga ai moment e deri në fund, detyrë e italianëve ishte që të mbroheshin, me parisienët që u gjuajtën me të gjitha forcat në sulm. Ngritje të lojës padyshim që solli inkuadrimi i Mbappes, i cili nuk ishte 100% i gatshëm për lojë sonte, ndërkohë që të dukshme ishin edhe mungesat e Di Marias dhe Verrattit në mesfushë.

Sulmet e francezëve u shpeshtuan dhe shpërblimi erdhi. Fillimisht për 1-1 barazoi Marquinhos (90’), e këtë “momentum” të arritur Parisi e shfrytëzoi maksimalisht, duke mos lejuar as që ndeshja të shkonte në vazhdime. Ishte Choupo-Moting, ish-futbollisti i Stoke Cityt, ai që e shënoi golin e fitores (90+3’), gol me të cilin Parisi shkoi në gjysmëfinale.

Te Atalanta, që u dorëzua në çastet e fundit, startues ishte edhe Berat Gjimshiti, që luajti 60 minuta dhe ndeshjen e mbylli me karton të verdhë. Pa harruar, mungesat e Ilicic dhe Gollini ishin të dukshme te skuadra nga Bergamo sonte.

Në gjysmëfinale Parisi e pret fituesin e duelit Leipzig vs. Atletico Madrid, duel ky që luhet nesër mbrëma me fillim nga ora 21:00.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League