RIO 2016

Foto: FIBA.com
Australia tregohet e fortë për Serbinë
9 August, 2016 @8:43
Me një luftë të paparë në çerekun e fundit, Australia ka shkrirë epërsinë e Serbisë dhe e ka mposhtur në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit A, për të krijuar bilanc 2-0 pas 2 ndeshjeve të para.
Pika kthyese e ndeshjes ka qenë kur Miroslav Raduljica, shumë i mirë mbrëmë, afroi rezultatin 75-71, por ‘kengurët’ përmes Patty Millsit në kundërsulm shënuan dhe nxorrën faul, që u realizua, për të këputur ndeshjen në të mirë të tyre.
Matthew Dellavedova ka qenë fantastik për australianët sot, ku ka regjistruar 13 nga 23 asistimet e ekipit të tij.
Mills ka përfunduar ndeshjen si koshashënuesi më i mirë, me 26 pikë të shënuara. Dellavedova me double-double prej 23 pikëve dhe 13 asistimeve, shto këtu edhe 2 topa të vjedhur. Kurse pikë dyshifrore shëunuan edhe Aron Baynes (10 pikë + 7 kërcime) e Joe Ingles (10 pikë + 5 asistime + 3 kërcime).
Te Serbia, që përjetoi humbjen e parë në Rio 2016, Miroslav Raduljica ka qenë më i miri me 25 pikë të shënuara, ndërsa pas tij janë rreshtuar Milos Teodosic me 17 pikë e 3 asistime si dhe Bogdan Bogdanovic me 12 pikë, 8 kërcime e 3 asistime.
Pas këtij dueli Australia ka bilanc 2-0, ndërsa Serbia 1-1 në Grupin A të Rio 2016.